Profesori kinezo-kanadez Xueqin Jiang, i njohur në internet si “Nostradamusi i Kinës”, është bërë viral në rrjetet sociale pas një serie parashikimesh gjeopolitike që publikoi në vitin 2024. Jiang drejton kanalin në YouTube Predictive History, i cili numëron rreth 1.87 milionë abonentë dhe ku ai analizon zhvillimet globale përmes modeleve historike.
Profesori prezantoi parashikimet e tij në maj të vitit 2024 gjatë një ligjërate në institucionin arsimor ku jep mësim në Kinë. Videoja e prezantimit u publikua më pas në kanalin e tij në YouTube dhe shpejt u përhap në internet, duke ngjallur debat të gjerë mes analistëve dhe ndjekësve të gjeopolitikës.
Sipas Jiang, parashikimi i parë ishte rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Parashikimi i dytë lidhej me mundësinë që, nëse Trump do të bëhej sërish president, SHBA mund të përfshihej në një konflikt ushtarak me Iranin.
Profesori e lidh këtë skenar me zhvillimet aktuale në Lindjen e Mesme dhe me operacionin e përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit, të quajtur “Operation Epic Fury”. Sipas tij, një konflikt i zgjatur do të paraqiste sfida serioze strategjike për SHBA-në.
Në analizën e tij, Jiang argumenton se terreni malor i Iranit, popullsia e madhe dhe linjat e gjata të furnizimit do ta bënin shumë të vështirë një operacion të gjatë ushtarak amerikan në territorin iranian. Ai e krahasoi këtë skenar me Ekspeditën Siciliane (415–413 p.e.s.), e cila përfundoi me një disfatë të rëndë për Athinën gjatë Luftës së Peloponezit.
Jiang shpjegon se parashikimet e tij bazohen në analizën e modeleve historike, motivimeve gjeopolitike dhe përdorimin e Teorisë së Lojërave. Ai përmend gjithashtu si frymëzim serinë e romaneve Foundation të Isaac Asimov, ku përshkruhet koncepti i “psikohistorisë”, ideja e parashikimit të zhvillimeve të mëdha historike përmes analizës statistikore dhe historike.
Në intervistat e fundit, përfshirë edhe paraqitjen në programin amerikan Breaking Points with Krystal and Saagar, profesori ka theksuar se Irani është përgatitur për dekada për një konflikt të mundshëm me SHBA-në. Ai përmend gjithashtu rolin e aktorëve të lidhur me Iranin në rajon, si Hamas, Hezbollah dhe Houthis, të cilët sipas tij kanë fituar përvojë në përballjen me taktikat ushtarake amerikane dhe izraelite.
Profesori thekson edhe rëndësinë strategjike të rajonit të Gjirit Persik, veçanërisht Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për furnizimin global me energji dhe mallra.
Parashikimet e Jiang kanë tërhequr vëmendje të madhe në internet dhe në media ndërkombëtare, ndërsa analistët vazhdojnë të ndjekin me interes zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe mundësinë e një konflikti më të gjerë në rajon.
