Një moment i frikshëm është regjistruar në Kinë, ku një fëmijë ka shpëtuar për mrekulli pasi telefoni me të cilin po luante shpërtheu papritur.
Sipas raportimeve dhe pamjeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, fëmija ishte i ulur në një divan duke përdorur telefonin celular, kur pajisja shpërtheu në mënyrë të papritur dhe u përfshi nga flakët.
Videoja tregon se pranë vendit ku ndodhej fëmija kishte edhe disa kabuj elektrikë, çka ka ngritur dyshime se mund të ketë pasur një problem me energjinë elektrike ose me vetë pajisjen që shkaktoi shpërthimin.
Fatmirësisht, ndonëse momenti ishte shumë i rrezikshëm dhe shkaktoi panik, fëmija ka arritur të shpëtojë dhe nuk ka humbur jetën.
Pamjet e incidentit janë shpërndarë gjerësisht në internet, duke rikthyer edhe një herë shqetësimin për sigurinë e pajisjeve elektronike, veçanërisht kur përdoren nga fëmijët.
