Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lëshuar një njoftim për qytetarët amerikanë që ndodhen në Shqipëri, duke i këshilluar të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat ku pritet të zhvillohet protesta e paralajmëruar për datën 28 shkurt.
Sipas njoftimit, protesta është planifikuar të mbahet në orën 18:00 pranë godinës së Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa ekziston mundësia që grumbullimi të shtrihet edhe në zona të tjera përreth qendrës së Tiranës.
Ambasada paralajmëron për prani të shtuar të policisë, bllokime të mundshme të rrugëve dhe ndërprerje të qarkullimit gjatë orëve para dhe gjatë zhvillimit të protestës. Në njoftim theksohet se personeli diplomatik është këshilluar të shmangë pjesëmarrjen apo praninë në protestë.
Po ashtu, qytetarëve u kërkohet të ndjekin mediat lokale, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të tregojnë vigjilencë, pasi situata në protesta mund të ndryshojë shpejt edhe nëse nis në mënyrë paqësore.
Ambasada thekson se prioritet duhet të mbetet siguria personale, ndërsa rekomandimi kryesor është shmangia e zonave ku pritet të ketë grumbullime të mëdha njerëzish.

