Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në qarkun e Fierit, ku një i moshuar ka vrarë bashkëshorten e tij dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 në fshatin Kuman, në bashkinë Roskovec. Sipas informacioneve paraprake nga policia, shtetasi me inicialet Sh. Rr., rreth 80 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, një pushkë, bashkëshorten e tij, shtetasen D. Rr., rreth 75 vjeçe, brenda banesës së tyre. Pas krimit, i moshuari ka qëlluar edhe veten, duke gjetur vdekjen në vend.
Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Deri tani dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive familjare, por pritet që hetimet të sqarojnë shkaqet e plota që çuan në këtë tragjedi.
Banorët e zonës janë shprehur të tronditur nga ngjarja, ndërsa familja njihej si familje e qetë dhe nuk raportohet për konflikte të mëparshme të bëra publike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi fshatin Kuman në Roskovec.
