Një operacion i gjerë policor është zhvilluar këtë të enjte në qendër të Podgoricës, ku forcat e policisë së Malit të Zi kanë bastisur pronat e biznesmenit Aco Gjukanoviç, vëllai i ish-kryeministrit dhe ish-presidentit shumëvjeçar të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Sipas raportimeve të mediave vendase, policia ka rrethuar një ndërtesë në zonën qendrore të kryeqytetit malazez, ku Aco Gjukanoviç ka pasur rezidencën dhe aktivitetet e tij të biznesit. Në të njëjtën godinë ndodhet edhe një degë e Prva Banka, institucion financiar në pronësi të tij.
Burime mediatike bëjnë me dije se inspektorët kanë nisur kontrolle të detajuara në ambientet e lidhura me Aco Gjukanoviçin, në kuadër të hetimeve që lidhen me aktivitetet e tij financiare dhe biznesore. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar mbi arsyet konkrete të këtij operacioni apo nëse ka persona të dyshuar.
Kujtohet se Qendra për Gazetari Hulumtuese e Malit të Zi kishte raportuar në shtator të vitit 2023 se Aco Gjukanoviç ishte zhvendosur në Luksemburg menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, ku kishte nisur projekte të reja biznesi jashtë vendit.
Operacioni i sotëm ka rikthyer vëmendjen mbi familjen Gjukanoviç dhe lidhjet e saj me biznesin dhe financat, duke ngjallur reagime të shumta në opinionin publik malazez. Pranë godinës së rrethuar janë parë forca të shumta policie, ndërsa situata mbetet nën monitorim.
Pritet që në orët në vijim autoritetet të dalin me një deklaratë zyrtare për të sqaruar qëllimin dhe rezultatet e kontrolleve të zhvilluara në pronat e vëllait të ish-kreut të shtetit malazez.
