Mbrëmjen e sotme, 27 Mars, në emisionin “Stop”, në Tv Klan u trajtua historia e një familjeje në Yrshek, që ka përçarë dy motra të moshuara përfundimisht.
Fatbardha Mane akuzon motrën e saj, Lina Sali, për përvetësimin e pensionit për vite me radhë.
E moshuara tregon se rreth 10 vite më parë i kishte dhënë motrës një prokurë të posaçme për të tërhequr pensionin. Ajo pretendon se gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka marrë pagesë të rregullt, përveç disa sendeve minimale, ndërsa vlera totale e pensionit të munguar, sipas saj, arrin në rreth 20 milionë lekë të vjetra.
Dyshimet lindën kur vajza e saj vuri re mungesën e të ardhurave.
Rasti përfundoi në polici dhe më pas në prokurori, ku Fatbardha kërkoi edhe revokimin e prokurës.
Sot, ajo e tërheq vetë pensionin prej 192 mijë lekësh, por kërkon drejtësi për vitet e humbura.
Ne realizuam një përballje mes dy motrave, gjatë së cilës deklaratat e Linës rezultuan kontradiktore.
Ajo herë ka pretenduar se kishte tërhequr pensionin për 5 vite, herë për 15 vite. Por në asnjë rast e moshuara nuk paraqiti dokumente apo prova konkrete.
Fatbardha: Ajo më mashtroi më mori firmat, më dërgoi një milion e dyqind, më bëri një qepek, më bëri dhe një televizor të vogël. Bëmë një hesap i thashë unë ç’më ke dhënë dhe ç’më ke. As të jap as të bëj më tha. S’është e vertetë? Të lutem shumë!
Lina: 15 vjet unë kam qenë shumë e rregullt
Fatbardha: Mos gënje! Ti më thoshe unë t’i dërgova…
Lina: Jam e sëmurë.
Fatbardha: Edhe unë e sëmurë isha. Kur u sëmura unë ti s’erdhe se kishe hallin e parave.
Lina: Jo, jo, jo kur t’i kam sjellë ty. Ti ulu atje, nuk po të pyes ty, ti ulu atje!
Debati mes motrave u tensionua deri në dhunë fizike, kur Lina goditi me shuplakë mbesën, që ndërhyri në konflikt.
