Skip to content

Ngjarje e rëndë në Fier, babai i dy fëmijëve gjendet i vrarë në banesë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Portez të Fierit, ku një 40-vjeçar është gjetur i pajetë brenda banesës së tij, i qëlluar me armë zjarri. Ngjarja ka tronditur familjarët dhe banorët e zonës, ndërsa rrethanat mbeten ende të paqarta.

Viktima është identifikuar si Taulant Halka, punëtor ndërtimi dhe baba i dy fëmijëve. Sipas informacioneve paraprake, ai është gjetur pa shenja jete në banesë, ndërsa pranë trupit është gjetur edhe arma e zjarrit.

Dyshimet e para të hetuesve lidhen me një akt vetëvrasjeje, megjithatë autoritetet nuk kanë dhënë ende një version përfundimtar për ngjarjen.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer veprimet procedurale, kanë sekuestruar provat materiale dhe kanë marrë në pyetje familjarë dhe persona të afërt të viktimës.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo për një ngjarje me elementë të tjerë që kërkojnë hetim më të thelluar.

Published inSHQIPERI