Skip to content

E rëndë/ Përplasjet mes protestuesve dhe policisë, një qytetar humb…

Situata u tensionua ndjeshëm gjatë protestës së zhvilluar sot në kryeqytet, ku përplasjet mes forcave të policisë dhe protestuesve çuan në përdorimin e gazit lotsjellës.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, një qytetar ka humbur ndjenjat si pasojë e ekspozimit ndaj gazit lotsjellës. Ai u ndihmua fillimisht nga persona të pranishëm në protestë, ndërsa më pas u transportua për të marrë ndihmë mjekësore. Gjendja e tij shëndetësore nuk dihet ende zyrtarisht.

Tensionet shpërthyen gjatë marshimit nga godina e Kryeministrisë drejt selisë së Policisë së Shtetit. Në momentet e përplasjes fizike mes disa protestuesve dhe efektivëve, policia ndërhyri duke hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Nga ana tjetër, gjatë lëvizjes së protestuesve janë hedhur disa shishe molotov në drejtim të koshave të mbeturinave, të cilat morën flakë, duke krijuar skena kaotike dhe tym të dendur në zonë. Forcat zjarrfikëse ndërhynë për të neutralizuar vatrat e zjarrit.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një bilanc zyrtar për persona të lënduar apo të shoqëruar në komisariat, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe nën monitorim të shtuar nga forcat e rendit.

Protesta vijon mes thirrjeve dhe pranisë së shtuar policore, ndërsa pritet një reagim zyrtar mbi incidentet e regjistruara gjatë ditës.

Published inSHQIPERI