Kreu i policisë, Skënder Hita duket se e ka nisur mbrapsht detyrën e tij në krye të Policisë së Shtetit, duke bërë dy ndryshime të dyshimta në radhët e policisë. Vetëm pak kohë pas marrjes së detyrës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka ndërhyrë në dy nga sektorët më të ndjeshëm të Policisë së Tiranës: Krimin Ekonomik dhe Policinë Rrugore.
Nga detyra është larguar shefi i Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Kreshnik Alimadhi, një funksion kyç që lidhet drejtpërdrejt me kontrollin e aktiviteteve të biznesit dhe hetimin e abuzimeve financiare. Në vend të tij është emëruar Artenis Merkaj, i cili pritet të marrë drejtimin e kësaj strukture në vijim, ndërkohë që rezulton se vjen nga e njëjta zonë me Skënder Hitajn, pikërisht Tepelena.
Ndryshime janë bërë edhe në Policinë Rrugore të Tiranës, ku është larguar nga detyra shefi Nertian Buzi. Ky i fundit është transferuar në Drejtorinë e Policisë në Pukë (ose siç quhej në kohën e diktaturë është internuar në Pukë), ndërsa në krye të Policisë Rrugore të Tiranës është komanduar Lusjan Zeqaj.
Ajo që vlen për tu theksuar është fakti se yë dy drejtuesit e larguar, Alimadhi dhe Buzi, ishin emëruar nga paraardhësi i Hitës, Ilir Proda, i cili dha dorëheqjen apo e hoqën, akoma nuk është sqaruar publikisht.
Në pamje të parë, këto mund të duken si lëvizje rutinë brenda strukturave policore. Por fakti që ndërhyrja është bërë pikërisht në dy sektorë kyç, Krimi Ekonomik dhe Rrugorja, pra në asnjë strukturë apo nivel tjetër, e bën situatën shumë më të dyshimtë.
Pse e themi këtë, këto janë dy nga strukturat më të ekspozuara ndaj korrupsionit në Policinë e Shtetit. Policia Rrugore kontrollon qarkullimin e automjeteve dhe gjobat, një terren i njohur për ryshfete të përditshme dhe ku ankesat janë nga më të shumtat. Ndërsa Krimi Ekonomik ka në dorë bizneset dhe hetimet për abuzime financiare, një tjetër zonë me interes të lartë ekonomik për çdo punonjës policie që kërkon të pasurohet sa më shpejt.
Pikërisht për këtë arsye, këto poste konsiderohen ndër më të lakmuarat brenda policisë. Por, shumë veta mund të thonë se dy të larguarit nuk e kanë bërë detyrën mirë, kanë abuzuar etj dhe për këtë arsye kreu i ri i policisë ka kërkuar rritje të performancës.
Por, nëse këto lëvizje do të ishin rezultat i luftës kundër abuzimit, pritej që drejtuesit e larguar të përballeshin me hetime apo verifikime. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur. Ata nuk janë hetuar, por janë transferuar në detyra të tjera, çka shton dyshimet se nuk kemi të bëjmë me një proces pastrimi, por me një riorganizim të brendshëm, me qëllime të paditura.
Një element tjetër që rëndon mbi këto zhvillime është fakti që Skënder Hita është përfolur në qarqe politike dhe mediatike si një person i afërt me ish zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila së fundmi u kërkua të arrestohet nga SPAK, por që Rama me të vetët nuk e lëshuan, por e mbrojtjën fort imunitetin e saj.
Kjo ka shtuar dyshimet se lëvizjet e fundit mund të lidhen me përpjekje për të kontrolluar rrjedhën e parave të komanduara nga Belinda Balluku dhe ndikimin brenda strukturave të policisë.
Pse e themi këtë? Sepse dyshimet nuk ndalen vetëm te lëvizjet aktuale. Sipas burimeve brenda Policisë së Shtetit, gjatë kohës kur Skënder Hita drejtonte Policinë e Qarkut Durrës, ka pasur një raport të tensionuar me Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Burimet tregojnë se SPAK ka zhvilluar disa operacione në Durrës duke shmangur policinë vendore në kohën që drejtohej nga Hita. Madje, sipas këtyre burimeve, ai ka kërkuar llogari personalisht nga përfaqësues të SPAK për përjashtimin nga këto operacione. Se si ka shkuar kjo marrëdhënie dhe nëse i kanë dhënë shpjegime nuk dihet, por ajo që dihet është arsyeja pse ishte kjo marrëdhënie tejet e ftohtë.
Sipas informacioneve që qarkullojnë në institucionet e sigurisë së lartë, arsyeja lidhet me një nivel mosbesimi ndaj drejtimit të policisë në atë periudhë. Burime nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) pretendojnë se ekzistojnë të dhëna operative për Skënder Hitën që nga koha kur ai drejtonte Policinë e Durrësit.
Sipas këtyre burimeve, ai dyshohet të ketë pasur lidhje me klanin Troplini, një grup i njohur që është përmendur edhe në një investigim të medias italiane RAI 3, ku pretendohej se ky klan, jo vetëm kishte ndikim në portin e Durrësit, por edhe e drejtonte atë me influencën e vet.
Megjithatë, duhet theksuar se këto mbeten në nivel informacioni dhe nuk përbëjnë prova ligjore për inkriminim edhe pse dyshimet bëhen edhe më të forta kur këto elemente vendosen në një kontekst më të gjerë.
Klani Troplini është përmendur si një grup që ka pasur ndikim në portin e Durrësit, në një kohë kur drejtimi i këtij institucioni i përkiste Pirro Vëngut, një figurë e afërt me Belinda Ballukun, e që thuhet se shumë shpejt do të hetohet edhe ai nga SPAK.
Në të njëjtën periudhë Balluku ishte ministre e Infrastrukturës dhe Transportit, Vëngu drejtonte portin dhe Hita drejtonte Policinë e Durrësit, pra një trinom që emërues të përbashkët mund të thuhet se kishin klanin Troplini.
Ky përkim funksionesh ka ngritur dyshime për një “vorbull” ndikimi institucional. Madje, transferimi i Hitës nga Durrësi në Fier, në kohën kur Balluku mori drejtimin politik të qarkut për zgjedhjet e vitit 2025, shihet nga disa si një tjetër element që lidh këto figura.
Të gjitha këtyre dyshimeve ne si media nuk mund t’i japim shpjegim sot, por mund të shtrojmë një pyetje që secili mund t’ia bëjmë vetes;
Përballë gjithë këtyre elementeve, a ishte kryeministri i informuar përpara se të emëronte Skënder Hitën në krye të Policisë së Shtetit? A ka pasur Rama informacion nga Vlora Hysenaj që drejton SHISH, mbi këto dyshime, apo janë të gjithë në të njëjtën vorbull?

