Skip to content

Shoqërimi i Altin Goxhajt, lëvizte me taksi, policët i kërkuan të lironte rrugën…

Shërbimet e Komisariatit nr.2 në Tiranë ka sqaruar alarmin e ngritur nga miqtë e avokatit dhe aktivistit Altin Goxhaj mbrëmjen e kësaj të enjte, duke bërë me dije se nuk bëhet fjalë as për rrëmbim dhe as ndonjë ngjarje kriminale, por një shoqërim konform procedurave policore.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë sqaron se rreth orës 20:00, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 2, duke patrulluar në rrugën “Kavajës”, ka ndaluar për të marrë masa ndaj drejtuesve të automjeteve të parkuara në korsinë e dedikuar.

Në kohën kur punonjësit e Policisë ishin duke kryer detyrën, një automjet taksi është parkuar mbrapa makinës së Policisë.

Efektivët i janë afruar dhe i kanë kërkuar drejtuesit të automjetit të vijojë lëvizjen, por nga mjeti taksi, që drejtohej nga shtetasi A. B., 26 vjeç, doli shtetasi Altin Goxhaj, 56 vjeç (avokat), i cili ka filluar të ofendojë dhe, së bashku me drejtuesin e automjetit, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë që ishin duke kryer detyrën, për të vijuar lëvizjen.

Në këto kushte, punonjësit e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 shtetasin Altin Goxhaj, i cili edhe gjatë shoqërimit ka vijuar të kundërshtojë punonjësit e Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, shtetasi Altin Goxhaj, u procedua penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për të respektuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si dhe për të përmbushur detyrën që i ngarkon ligji.

Avokati Altin Goxhaj ka pretenduar se punonjesit e policise e kane ofenduar te paret, pasi vete punonjesit e policise kishin parkuar gabim, duke bllokuar rrugen.

Published inSHQIPERI