Skip to content

Elisa kundër Ramës? Lëvizja që po trndit PS-në! Kush janë KOKAT që fshihen pas saj

Pas shpërthimit të kontrolluar të Spiropalit, pyetja nuk është më nëse Elisa po flet e vetme, por cili grup brenda PS-së po përgatitet të hapë betejën për epokën pas Ramës…

Shpërthimi i kontrolluar i Elisa Spiropalit kundër Edi Ramës ka shkaktuar një reaksion përgjithësisht pozitiv në shkretëtirën politike me dinosaurë të Shqipërisë.

Në mungesë totale të nismave dhe aktivitetit politik konvencional, skena jonë, përveç Edi Ramës, Sali Berishës apo personazheve që shfaqen nga “Kafazi i Qelqtë” i GJKKO-së, ka vetëm të lajthitur që zihen në talk show-t e pafund të televizioneve dhe podkasteve.

Është i pritshëm një reagim me empati për çdo lëvizje oponente apo opozitare ndaj pushteteve të mëdha, ashtu siç është e pritshme edhe zilia e xhelozia që vjen nga drejtime të ndryshme.

Megjithatë, çështja thelbësore që shtrohet dhe dilema që lind është: a ka shokë Elisa?

Kush qëndron pas saj në këtë lëvizje pa kthim të “Mamicës”? Është një kalorëse e vetmuar, një zëdhënëse, apo liderja e një grupimi të ri politik brenda PS-së?

Deri tani nuk ka një informacion të qartë mbi lëvizjen që Elisa Spiropali ka nisur, por parë nga reagimet e qarqeve me relevancë, duket se Elisa nuk vallëzon e vetme.

Ka reflektorë dhe interceptorë publikë që marrin dhe japin sinjale para dhe pas lëvizjeve të ish-shefes së diplomacisë. Ka media dhe kurim të kujdesshëm, të përshtatur me teknologjinë, për mesazhet e saj. Duket qartë se janë të llogaritura mënyra e shkrimit të mesazheve, shpërndarja e tyre digjitale, si edhe kurimi i impaktit teknologjik përmes përbindëshave të momentit: like-ve dhe komenteve.

Pikërisht duke parë mjedisin politik dhe duke dëgjuar zërat që qarkullojnë, kuptohet se nuk kemi aspak të bëjmë me një kalorëse të vetmuar, por me një ekip të vërtetë, me një grup interesi që qëndron pas saj dhe që së shpejti mund të shpallë betejën brenda PS-së.

Sipas të gjitha gjasave, kemi të bëjmë me grupin, fraksionin, klanin apo lobin që deri tani e ka drejtuar Erion Veliaj brenda mazhorancës. Një grup që ka pasur një mbulim të konsiderueshëm, sidomos në qarqet e pushtetit, administratës dhe, padyshim, Partisë Socialiste.

Aktualisht, ky lob është i mënjanuar dhe i margjinalizuar pas burgosjes së Lalit, por megjithatë ruan peshën dhe masën e vet potenciale. Duket më shumë në superstrukturë dhe më pak në territor.

Kjo mungesë në territor ka ardhur edhe si pasojë e spastrimeve masive që ka kryer Edi Rama pas nisjes së hetimeve dhe arrestimit të Erion Veliajt. Ky i fundit, nga ana e tij, kishte kryer të njëjtat spastrime në PS pas goditjes së Saimir Tahirit.

Kështu që Edi Rama e kishte gati një mjedis acid ndaj njerëzve të Veliajt brenda PS-së së kryeqytetit. Nga ana tjetër, Rama argëtohet fort kur vartësit përleshen me njëri-tjetrin.

Por, edhe pse të mënjanuar në organizatat socialiste, njerëzit e Veliajt janë ende në territor, njohin situatën dhe kanë databazën e anëtarësisë dhe votuesve.

Pra, i kanë të gjitha mundësitë për të nisur një lërim të terrenit, pasi njerëzit dhe mjetet nuk u mungojnë.

Po kush mund të jenë njerëzit më të rëndësishëm pas Spiropalit? Ka disa që mund të konsiderohen të mundshëm, si për shembull Fuga i Ramës, Bushka, ish-deputetja, apo drejtorët e shkarkuar dhe të goditur të Bashkisë së Tiranës dhe shumë drejtorive të tjera.

Gjithsesi, nuk duhet pritur një lëvizje e madhe për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ku ata me gjasë do të përpiqen të infiltrohen sa më shumë në territor. Beteja reale do të jenë zgjedhjet e vitit 2029, kur do të kërkojnë të marrin pjesën e tyre në PS, pas “big bang”-ut që pritet të ndodhë nga largimi apo rrëzimi i Edi Ramës.

E gjithë kjo lëvizje nuk është gjë tjetër veçse një “MJAFT 2.0”, një skemë që dikur rezultoi efikase për t’i marrë pushtetin Fatos Nanos dhe për të siluruar një brez të ri në kupolën e PS-së.

Kësaj radhe, atyre do t’u duhet të llastojnë dhe të afrojnë nanoistët e zemëruar me Edi Ramën, si Arben Malaj dhe senatorë të tjerë të zbuar nga PS. Megjithatë, shumë prej këtyre të fundit ende nuk e kanë shuar mllefin ndaj mjaftistëve, gjë që e treguan qartë me urrejtjen ndaj Veliajt kur ai u godit.

Këtë gjendje mund ta përdorë Edi Rama për t’i manipuluar.

Published inSHQIPERI