Saimir Vishaj ka bërë një postim emocionues në rrjetet sociale ku tregon se sot është “De Juro” i divorcuar nga bashkëshortja. Avokati i njohur që arriti të fitonte një betejë të rëndësishme për jetën duke luftuar një sëmundje të rëndë, me sa duket duhet të kalojë një tjetër sprovë.
Postimi i tij është emotiv, ku tregon bashkëjetesën e tij 35-vjeçare me zonjën në fjalë. Dhe në fund e mbyll duke shkruar se sa i vetmuar ndihet.
“Vetmia është gjëja më e rëndë që i ndodh njeriut. Linda nga dy prindër të mrekullueshëm, u bëra baba i denjë i dy djemve me mbiemër Vishaj, por çe do. Sot mamaja e djemve u divorcua nga gjykata e Tiranës duke e përdhosur mbiemrin Ruka dhe duke hequr përfundimisht mbiemrin Vishaj.

Ja pra kjo është vetmia që kur të zënka një sëmundje, ish gruaja ikën me vrap duke e lënë në vetmi atë që kishte 35 vite që bashkëjetonte. Kur ishim mirë s’kishte vetmi, tashmë vetmia u ul këmbëkryq në shtëpinë time”, shkruan Vishaj në rrjetet sociale.
Kujtojmë që avokati është ndër më të njohurit në vendin tonë duke spikatur prej vitesh me punën e tij. Ai ka qenë kryetar i Shoqatës së Avokatëve Penal, por pas peripecive me shëndetin ia dorëzoi stafetën Joana Qeleshit.

