Një tjetër rast i dëmtimit të infrastrukturës rrugore është raportuar në vend, duke shtuar shqetësimet për cilësinë e punimeve në disa projekte të realizuara vitet e fundit.
Pas problemeve të shfaqura në disa akse kryesore, ku rasti më i fundit ishte segmenti Librazhd–Prrenjas që për disa ditë bllokoi qarkullimin drejt juglindjes së vendit, raportime të reja tregojnë për dëmtime edhe në një tjetër rrugë në qarkun e Elbasanit.
Bëhet fjalë për segmentin Ura e Mirakës-Polis Gureshpatë, një rrugë e ndërtuar rreth dy vite më parë dhe që sipas të dhënave ka kushtuar afro 2 milionë euro. Sipas raportimeve në media, një pjesë e kësaj rruge ka pësuar shkarje të konsiderueshme, duke rrezikuar qarkullimin e automjeteve.
Segmenti shërben për lidhjen e disa fshatrave të zonës së Librazhdit dhe dëmtimi i tij mund të ndikojë drejtpërdrejt në lëvizjen e banorëve të zonës.
Raportohet se problemet në këtë rrugë janë shfaqur prej rreth dy muajsh, ndërsa deri më tani nuk është ndërhyrë për riparimin e saj. Po ashtu, në vendin ku ka ndodhur shkarja nuk është vendosur as sinjalistikë paralajmëruese për drejtuesit e mjeteve.
Dëmtimi i këtij segmenti rrugor shihet si një tjetër rast që ngre pikëpyetje për cilësinë e punimeve në disa projekte infrastrukturore dhe për mënyrën se si janë menaxhuar fondet për ndërtimin e tyre.
Një nga rastet më të përfolura ishte segmenti Librazhd–Prrenjas, ndërsa ky incident shkaktoi debate të forta politike dhe ngriti dyshime mbi cilësinë e punimeve dhe menaxhimin e fondeve publike.
Raste të tjera dëmtimesh janë raportuar edhe në segmente të ndryshme rrugore në disa qarqe të vendit, përfshirë zona në Elbasan, Korçë dhe Dibër, ku rrëshqitjet e dheut dhe shkarjet e asfaltit kanë krijuar probleme për qarkullimin e mjeteve.
Autoritetet kanë argumentuar se dëmtimet janë shkaktuar nga kushtet atmosferike dhe reshjet intensive, ndërsa opozita dhe ekspertë të infrastrukturës kanë ngritur akuza për cilësi të dobët të punimeve, projektim të gabuar dhe abuzime me fondet publike.
