Një raketë balistike e lëshuar nga Irani është shkatërruar në hapësirën ajrore të Turqisë, sipas një njoftimi zyrtar nga Ministria turke e Mbrojtjes.
Sipas autoriteteve turke, raketa u neutralizua nga sistemet mbrojtëse të NATO-s të vendosura në Mesdheun lindor, duke parandaluar një rrezik të mundshëm për zonat e banuara.
Pas shkatërrimit të saj, fragmente të municionit ranë në fusha të zbrazëta në Gaziantep, në juglindje të Turqisë. Fatmirësisht nuk raportohen dëme apo persona të lënduar.
Ministria turke e Mbrojtjes bëri me dije se ky është rasti i dytë kur një raketë iraniane neutralizohet mbi hapësirën ajrore turke gjatë tensioneve të fundit në rajon.
Autoritetet kanë shtuar nivelin e gatishmërisë në zonë, ndërsa NATO vijon monitorimin e situatës dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore të aleancës.
