Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e sotme në Durrës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka pësuar arrest kardiak gjatë orës së mësimit.
Burime paraprake bëjnë me dije se ngjarja e rëndë është regjistruar në ambientet e gjimnazit “Gjergj Kastrioti”, ku i riu ishte duke zhvilluar orën e Edukimit Fizik së bashku me bashkëmoshatarët e tij.
Sipas informacioneve të para, 17-vjeçari me inicialet F.S. është ndjerë keq papritur gjatë aktivitetit fizik dhe është rrëzuar në tokë. Menjëherë janë njoftuar mësuesit dhe është kërkuar ndihma mjekësore, por pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, i riu nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë.
Dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë një arrest kardiak i menjëhershëm, megjithatë pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.
Ngjarja ka tronditur nxënësit, mësuesit dhe prindërit, ndërsa shkolla është përfshirë nga një atmosferë e rëndë pas humbjes së parakohshme të 17-vjeçarit.
