Një ngjarje e rëndë është raportuar të mërkurën më 29 prill në Oslo, ku 25-vjeçari Edward Yul Rod-Larsen është gjetur i vdekur, me dyshimet paraprake për vetëvrasje.
Ai ishte djali i dy diplomatëve të njohur norvegjezë, Terje Rod-Larsen dhe Mona Juel, të cilët aktualisht po hetohen për korrupsion të rëndë dhe për lidhje të dyshuara me financierin amerikan Jeffrey Epstein.
Hetimet lidhen me pretendime se Epstein ka lënë në testament një shumë prej rreth 10 milionë dollarësh për Edwardin dhe motrën e tij binjake, Emma Rod-Larsen, megjithëse kjo shumë nuk është konfirmuar si e paguar.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Sipas informacioneve të publikuara, autoritetet në Norvegji dhe Francë kanë nisur një hetim të përbashkët ndaj çiftit diplomatik, ndërsa më herët është raportuar se edhe autoritetet amerikane po shqyrtojnë disa lidhje financiare dhe institucionale.
Prindërit e të ndjerit kanë pasur karrierë të gjatë në diplomaci ndërkombëtare dhe janë të njohur për rolin e tyre në proceset e paqes në Lindjen e Mesme në vitet 1990. Megjithatë, së fundmi ata janë vënë në qendër të vëmendjes pas publikimeve mbi kontaktet e tyre me Epstein.
Mona Juel ka dhënë dorëheqjen nga posti i ambasadores në Jordani, duke pranuar se kontaktet e saj me Epstein kanë ekzistuar, por duke i cilësuar si sporadike dhe jozyrtare.
Ndërkohë, hetimet për financime dhe lidhje institucionale të Terje Rod-Larsen me organizata ndërkombëtare janë ende në zhvillim, ndërsa policia nuk ka publikuar ende përfundime mbi rrethanat e vdekjes së 25-vjeçarit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se Edward Rod-Larsen nuk ka qenë i akuzuar për ndonjë shkelje ligjore.
