Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Sarandë, ku një 31-vjeçar dyshohet se ka dhunuar ish-bashkëjetuesen dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër për ta kanosur atë dhe familjarët e saj.
Sipas informacionit paraprak të policisë, rreth orës 17:30, shtetasi me inicialet K. C., 31 vjeç, banues në Borsh, ka shkuar në fshatin Shelegar, në banesën e ish-bashkëjetueses së tij. Aty dyshohet se ai e ka dhunuar fizikisht.
Gjithashtu, sipas të dhënave paraprake, 31-vjeçari e ka kanosur me armë zjarri ish-partneren dhe familjarët e saj, duke qëlluar disa herë në ajër dhe duke krijuar panik në zonë.
Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Policia e Shtetit kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar në një kohë të shkurtër.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, ndërsa pritet që ndaj 31-vjeçarit të ngrihen akuzat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.
