Në një intervistë për Euronews Albania, profesori i kriminologjisë Ervin Karamuço ka folur mbi prapaskenat e operacionit sekret që çoi në kapjen e liderit të kartelit të fuqishëm “Gjenerata e Re e Xhaliskos” (CJNG), duke zbuluar detaje mbi mënyrën se si u realizua infiltrimi dhe bashkëpunimi me inteligjencën amerikane.
Sipas Karamuços, bosi i kartelit, i cili kishte arritur t’i shpëtonte drejtësisë për vite me radhë, u tradhtua nga një gabim në jetën personale. Ai shpjegoi se një grua, e dyshuar si agjente e infiltruar e DEA-s, i kishte dërguar një mesazh të thjeshtë me tekstin “Hajde”, duke e nxjerrë nga vendstrehimi i tij në një zonë malore pranë Guadalaharës. Pavarësisht tuneleve sekrete të ndërtuara për arratisje, ai u arrestua teksa tentonte të largohej me disa truproja.
Karamuço zbuloi gjithashtu metoda të ashpra që karteli përdorte për të identifikuar spiunët. Sipas tij, personat e rinj që dyshoheshin kontrolloheshin në mënyra brutale, përfshirë përdorimin e baterive të makinave për të zbuluar pajisje gjurmimi të fshehura në trup.
Karteli, sipas tij, funksiononte si një strukturë paraushtarake me mbi 20 mijë anëtarë, automjete të blinduara dhe kampe stërvitore të organizuara, ndërsa operacioni për kapjen e liderit u mbajt në fshehtësi të plotë dhe u zhvillua me mbështetje ajrore përmes dronëve dhe mjeteve të specializuara.
Duke folur për të ardhmen e organizatës kriminale, Karamuço parashikoi mundësinë e një lufte të brendshme për kontrollin e kartelit ose shpërbërjen e tij, ndërsa theksoi se organizata të tilla po trajtohen gjithnjë e më shumë si grupe terroriste.
I pyetur për përfshirjen e shqiptarëve në nivelet më të larta të këtyre karteleve, ai deklaroi se nuk ka prezencë shqiptare në kupolat drejtuese, ndërsa shqiptarët mund të shfaqen vetëm si bashkëpunëtorë në nivele më të ulëta.

