Skip to content

Deputeti i Berishes reagon fort: Meta u solli ne pushtet, ju e braktisni! Habit me reagimin direkt Berisha

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka kritikuar hapur mungesën e reagimit të opozitës lidhur me nisjen e gjyqit në themel ndaj Ilir Metës dhe refuzimin për transmetimin publik të seancës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spaho thotë se asnjë nga drejtuesit e Partisë Demokratike nuk ka reaguar për mënyrën se si po zhvillohet procesi, duke e cilësuar këtë si një shenjë distancimi nga aleati i dikurshëm.

“Ndoqa sot gjyqin ndaj Ilir Metes dhe reagimin e politikes, vecanerisht opozites per mbajtjen e tij ne kafaz dhe refuzimin per transmetimin e gjyqit per publikun”, shkruan Spaho, teksa më tej ka kujtuar disa nga momentet kyçe të bashkëpunimit mes PD dhe LSI-së, sot Partia e Lirisë, duke nënvizuar rolin vendimtar që kjo forcë politike ka pasur në ardhjen dhe mbajtjen në pushtet të demokratëve ndër vite.

Reagimi i Edmond Spahos:

Ndoqa sot gjyqin ndaj Ilir Metes dhe reagimin e politikes, vecanerisht opozites per mbajtjen e tij ne kafaz dhe refuzimin per transmetimin e gjyqit per publikun.

Mu kujtuan shume ngjarje te se shkuares ku kam qene deshmitar:

LSI solli PD ne pushtet ne zgjedhjet e vitit 2005. Pa votat qe LSI me kandidatet e saj i hoqi PS, opozita nuk vinte ne pushtet.

LSI e mbajti PD ne pushtet ne 2009 me kater mandatet e saj.

PD nuk preferoi te bashkohej me LSI ne zgjedhjet e vitit 2017. Beri marreveshje per bashkeqeverisje me Edi Ramen. Rezultati katastrofik dihet.

Per objektivat politike por idiote te PD, LSI pranoi te djege mandatet ne vitin 2019.

LSI me qellim nuk u pranua si pjese e listave te perbashketa te opozites ne zgjedhjet e vitit 2021. Per kete humbem zgjedhjet me 30 mije vota diference me PS

LSI e mbeshteteti Rithemelimin si te ishte pjese e tij.

Sot asnje udheheqes ne PD nuk foli dhe protestoi, qofte edhe formalisht, per Ilir Meten qe e mbajne ne kafaz dhe qe nuk pranojne qe gjyqi te transmetohet per publikun.

PD ka harruar aleatin e saj LSI/PL dhe Berisha e harroi Meten.

Turp i madh edhe per disa deputete te PD te cilet kane ngrene buke ne politike per shkak te lidhjeve me Meten dhe PL.

Une nuk di nese Ilir Meta eshte apo jo fajtor, por ai kishte te drejte per te dy ceshtjet e ngritura dhe duhej mbeshtetur fort.

Menjehere pas kesaj deklarate, ka reaguar dhe Sali Berisha. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli përpara një konference për media, duke folur për seancën gjyqësore ndaj Ilir Metës

Në deklaratën e tij, Berisha u shpreh se ish-Presidentit i është bërë një trajtim çnjerëzor, duke shtuar se Meta duhet të lirohet.

“Trajtimi çnjerëzor i kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akt i hakmarrjes primitive të Edi Ramës. Ish-presidenti i Republikës, ish-kryetari i Parlamentit dhe ish-kryeministri Ilir Meta, aktualisht kryetari i partisë së dytë më të madhe opozitare, u paraqit dje në sallën e gjyqit i ndarë në kafaz xhami, sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm, ndonëse ndaj tij nuk ekziston absolutisht asnjë provë e faktuar për ndonjë vepër penale të çdo natyre, qoftë ose jo.

Ky akt çnjerëzor brutal, i urdhëruar direkt nga Edi Rama, riktheu para shqiptarëve skenat e gjyqeve staliniste të Enver Hoxhës, babait shpirtëror të Edi Ramës dhe skulptorit xhelat, Kristaq Rama, babait biologjik të Edi Ramës. Ky akt hakmarrës nuk është një qëndrim i rastit, as edhe i izoluar ndaj ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të Parlamentit, z. Ilir Meta. Në tetor të vitit 2024, Ilir Meta u arrestua tek hynte në Tiranë, nga policia pa i paraqitur asnjë fletë arresti. U nxor me forcë në rrugë nga makina, u tërhoq zvarrë dhe u godit para kamerave nga policë të porositur dhe, si person nën hetim, u dërgua në burg”, tha ndër të tjera Berisha.

Published inSHQIPERI