Sulmi me armë në darkën e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë ka rikthyer kujtime të forta historike, pasi ndodhi në të njëjtin vend ku u qëllua Ronald Reagan 45 vite më parë.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe Donald Trump, i cili u largua menjëherë nga salla pas të shtënave, por raportohet se është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ngjarja e vitit 1981 ndodhi më 30 mars, kur John Hinckley Jr. qëlloi ndaj Reaganit teksa ai po largohej nga një aktivitet në hotelin Washington Hilton. Ish-presidenti amerikan mbijetoi, por u plagos rëndë nga një plumb që i shkaktoi dëmtime serioze në kraharor dhe mushkëri.
Në atë sulm u plagosën edhe persona të tjerë, përfshirë zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë, James Brady, i cili pësoi dëmtime të rënda në tru dhe mbeti me pasoja të përhershme. Për këtë arsye, incidenti i fundit në të njëjtin vend ka shtuar ndjeshëm shqetësimin dhe simbolikën e përsëritjes së historisë.
