Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i cili nxjerr detaje te sakta, te pagabushme dhe te konfirmuara, ka folur lidhur me vrasjen e çiftit Mujeci në Lezhë. Ai u shpreh se një nga automjetet e përdorura nga autorët ka qenë me qira dhe i pajisur me GPS, çka ka ndihmuar në gjurmimin e tyre nga policia.
“Mund të shtohet numri në hetimet në vijim, njëra prej makinave ishte marrë me qira në Rinas dhe kishte edhe GPS, edhe pse ishin munduar ta çaktivizonin, janë gjetur profilet e ADN-së, pajisje brenda që përbëjnë prova për hetimet. Dy prej tyre kanë qenë shoqërues”, u shpreh Karamuço për “Euronews Albania”.
Sipas tij, autori i dyshuar i të shtënave është një person i shpallur në kërkim edhe për një tjetër tentativë vrasjeje në Shkodër, ndërsa mbeten ende pikëpyetje mbi dijeninë e tij për praninë e bashkëshortes në automjet.
“Ai që ka shtënë ka qenë në kërkim për një tentativë tjetër vrasjeje në Shkodër. Ka pasur versione nëse e dinin që e ka pasur gruan në makinë, pasi Audi i viktimës ka qenë me xhama të zinj”, tha Karamuço.
Eksperti shtoi se nga ndjekja e automjetit në disa akse rrugore, autorët mund të kenë qenë në dijeni për lëvizjet e viktimës, ndërsa përdorimi i një arme të fuqishme ka bërë të pamundur shmangien e pasojave.
“Janë hapur 2 gjaqe… kjo hap një sagë tjetër ku pritet të ketë sërish përplasje. Autorët e kanë pasur edhe si provokim faktin që autori ekspozohej shumë publikisht”, deklaroi ai.
Sipas profesorit, ngjarja rrezikon të përshkallëzojë konfliktet në zonë, duke shtuar numrin e familjeve në rrezik dhe tensionet ekzistuese.
