Banka Qendrore Evropiane po përgatitet të zgjedhë kartëmonedhat e reja euro që do të karakterizojnë monedhën e vetme në vitet e ardhshme: gjashtë prerje gjithsej (5 €, 10 €, 20 €, 50 €, 100 € dhe 200 €) sepse monedha 500 euro nuk do të ekzistojë më, siç u vendos nga BQE në vitin 2019, kur ndaloi lëshimin e kësaj prerjeje për serinë aktuale në qarkullim.
Konkursi i dizajnit për dorëzimin e propozimeve mbyllet në fund të muajit dhe deri në fund të qershorit, qytetarët e shteteve anëtare do të informohen për dizajnin e mundshëm të ri për gjashtë prerjet, të cilat do të zgjidhen përfundimisht deri në fund të vitit 2026.
Vendimi për të lançuar serinë e re euro, e treta që nga futja e monedhës së vetme evropiane, u mor në vitin 2021, por procesi i rishikimit të kartëmonedhave filloi vetëm në vitin 2023, me përzgjedhjen e temave të mundshme në të ardhmen dhe motiveve dekorative përkatëse. Janë zgjedhur dy tema të mundshme: “Kultura Evropiane” dhe “Lumenjtë dhe Zogjtë”.
E para paraqet figura të shquara në pjesën e përparme, si Leonardo da Vinci në kartëmonedhën 100 euroshe dhe Marie Curie në kartëmonedhën 20 euroshe, ndërsa pjesa e pasme paraqet tema që lidhen me arritjet e tyre. E dyta paraqet zogj në habitatet e tyre në pjesën e përparme të kartëmonedhave, ndërsa pjesa e pasme paraqet institucionet evropiane.

“Ne duam që kartëmonedhat euro të jenë më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin. Kjo është arsyeja pse po analizojmë gjurmën e tyre mjedisore për të identifikuar mundësitë për të zvogëluar ndikimin e tyre përmes materialeve dhe proceseve të reja. Procesi i ridizajnimit gjithashtu përfaqëson një mundësi për t’i bërë kartëmonedhat më gjithëpërfshirëse”, shpjegon BQE.

”Vitin e kaluar, BQE zyrtarisht nisi një konkurs për dizajnerë, disa prej të cilëve u zgjodhën përfundimisht për këtë fazë përfundimtare, e cila do të përfundojë deri në vitin 2026. Të gjitha dorëzimet do të vlerësohen nga juria e konkursit, e përbërë nga ekspertë të pavarur, deri në qershor. Juria do të zgjedhë një maksimum prej 10 propozimesh (5 për temë) për t’ia paraqitur Këshillit Drejtues për shqyrtim.
