A është kërcënimi iranian rrezik real për Shqipërinë? Ish-ministri i Mbrojtjes, Dritan Demiraj nuk e përjashton, duke shpjeguar në emisionin “Kjo javë” në News 24 mbrëmjen e sotme, se informacionet kanë ardhur nga shërbimet inteligjente në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë.
I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë, ai foli për konfliktin dhe luftën në Lindjen e Mesme dhe nëse ai rrezikonte të përhapej më tej. Si njohës i mirë i fushës ushtarake dhe gjeopolitikës, Demiraj tha se informacionet bazohen në burime të besueshme dhe rreziku është real.
Ai ka komentuar dhe paralajmërimet e ambasadës amerikane për rreziqe të mundshme ndaj Shqipërisë. Demiraj theksoi se njoftimet bazohen edhe në informacione të vazhdueshme të inteligjencës, e cila operon 24 orë në ditë gjatë gjithë vitit.
Sipas tij, kur identifikohen indikacione për kërcënime apo sulme të mundshme terroriste nga aktorë shtetërorë, ambasadat amerikane paralajmërojnë menjëherë qytetarët e tyre në çdo vend.
“Këto struktura informojnë institucionet përkatëse shqiptare, si Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe SHISH-in, në mënyrë që të merren masat e nevojshme për parandalim apo reagim”, tha ai.
Paralajmërime të tilla pritet të vijojnë edhe në të ardhmen, në varësi të rreziqeve dhe kërcënimeve që evidentohen nga shërbimet e inteligjencës amerikane dhe ato evropiane.
Demiraj shpjegoi gjithashtu se Irani ka kapacitetin për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, një zhvillim që mund të ndryshojë rrënjësisht balancat ndërkombëtare dhe të thellojë krizën ekonomike t ëkarburanteve.
Sipas tij:
“Sot kemi një Iran të ndikuar fort nga Garda Revolucionare, që ka treguar se nuk mposhtet lehtë, pavarësisht sulmeve ajrore”.
Ai theksoi gjithashtu se “situata ka kapur të papërgatitura si SHBA ashtu edhe vendet e BE, të cilat nuk e kishin parashikuar një zhvillim të tillë”.
Demiraj iu referua edhe deklaratave të Dmitry Medvedev, sipas të cilit Irani disponon një “kartë më të fortë se arma atomike”.
Por a mund të ketë një luftë të re në botë?
“Gjysmën e dytë të vitit 2027 dhe në fillim të vitit 2028 mund të ndodhë një përplasje e re, duke e lidhur këtë me ambiciet e shprehura Xi Jinping për të marrë kontrollin e Tajvanit, fillimisht përmes mjeteve paqësore, në Tajvan”, tha ai mes të tjerash.
Sipas Demirajt, nëse kjo përpjekje dështon dhe nis një ofensivë ushtarake, SHBA dhe aleatët e saj në rajon, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe vetë Tajvanin, do të detyrohen të ndërhyjnë për të ndaluar një skenar të tillë.
“Zhvillimet aktuale tregojnë për një rritje të tensioneve globale dhe një fazë të re të rivaliteteve gjeopolitike, që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm në skenën ndërkombëtare”, tha ai.
