Skip to content

Ja sa para do marrin pensionistet

Indeksim 6.4%, hyn në fuqi formula e re, ja sa para do të përfitojnë pensionistët, eksperti i ekonomisë zbardh detajet e fundit. Vendimi i qeverisë për miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar për pensionet me 6.4% do të prekë drejtpërdrejt të gjithë qytetarët që kanë dalë ose do të dalin në pension nga 1 janari 2026 e në vijim. Ky koeficient do të përdoret për përllogaritjen e pensionit fillestar, duke reflektuar rivlerësimin e kontributeve të paguara ndër vite. Në thelb, bëhet fjalë për një mekanizëm që rrit bazën mbi të cilën llogaritet pensioni, por efekti final ndryshon nga individi në individ, në varësi të historikut të kontributeve dhe nivelit të pagave.

“Shpjegon çfarë do të thotë konkretisht 6.4% dhe si përkthehet në rritje reale pensioni, pra që është një koeficient që merr për bazë kontributet ndër vite dhe inflacionin përgjatë periudhës kontributive, duke rritur masën e pensionit për ta bërë më dinjitoz për kohën në të cilën jetojmë”, thotë për televizionin “Klan” eksperti i pensioneve dhe ekonomisë, Kujtim Hoxha.

Për ta bërë më konkrete, një person që ka dalë në pension këtë vit merr një pagesë prej 20 mijë lekësh; me vendimin e ri, pra me indeksimin 6.4%, do të marrë rreth 21 mijë e 200 lekë. Vendimi parashikon edhe kufizime. Për periudhën para vitit 2002, baza nuk mund të kalojë trefishin e pagës minimale, ndërsa për vitet pas 2002 aplikohet tavani i pagës maksimale.

“Shqetësim mbetet çështja e barazisë mes brezave, pasi mënyra e indeksimit dhe referencat e përdorura mund të krijojnë diferenca mes atyre që dalin sot në pension dhe atyre që kanë dalë më herët. Këto kufij synojnë të ruajnë ekuilibrat në skemë, por në të njëjtën kohë mund të frenojnë përfitimet për ata me paga më të larta”, shprehet Hoxha.

Efektet financiare të këtij vendimi do të mbulohen nga buxheti i sigurimeve shoqërore dhe aplikohen vetëm për pensionet e reja. Në një kohë kur presionet mbi skemën e pensioneve janë në rritje, indeksimi mbetet një instrument kyç për të balancuar interesat e përfituesve me qëndrueshmërinë e sistemit.

Detaje nga vendimi i qeverisë

Ndërkohë kujtojmë se rreth 40 mijë qytetarë që u lind e drejta për pension nga data 1 janari 2026, do të kenë të ardhura mujore të llogaritura me koeficientët e indeksuar. Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare dhe tashmë në fuqi, përcakton miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2024, me koeficient indeksi 6.4 %, të llogaritur sipas kritereve të ligjit në fuqi. Indeksi prej 6.4% aplikohet për llogaritjen e bazës së vlerësuar individuale vjetore, të arritur nëpërmjet kontributeve të paguara dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2024, dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së masës fillestare mujore të pensioneve, me datë lindjeje të s ë drejtës, nga data 1.1.2026 e në vazhdim. Vendimi detajon se pas aplikimit të indeksit të vitit 2024, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së masës fillestare mujore të pensioneve për ata individë që u lind e drejta nga 1 Janari 2026 nuk mund të jetë më i lartë se trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, për pagat e periudhës, nga viti 1994 deri në 31.12.2001 si dhe sa paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar sipas kritereve të ligjit të vitit 1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat e periudhës, nga viti 2002 e në vazhdim. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve dhe aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë lindjeje të së drejtës, nga data 1.1.2026 e në vazhdim, dhe përballohen brenda buxhetit vjetor, të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore Ky vendim ka për qëllim përmirësimin e sistemit të pensioneve duke harmonizuar shumën mujore fillestare me kontributet që individët kanë derdhur gjatë viteve të punës. Indeksimi do të sigurojë që pensionet e reja të jenë në përputhje me pagat e deklaruara dhe kontributet e derdhura, duke sjellë një rritje të drejtë dhe transparente për përfituesit. Ky vendim pritet të ketë ndikim në rritjen e fuqisë blerëse të pensionistëve të rinj. Indeksimi, si detyrim ligjor, është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të shtetit për të përmirësuar sistemin e sigurimeve shoqërore dhe për të siguruar që çdo qytetar të përfitojë në përputhje me kontributet e tij.

Published inSHQIPERI