Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Pogradec, ku një vajzë 10-vjeçare është sulmuar nga qeni i fqinjit në lagjen nr. 4, pranë hyrjes së lagjes “Goricë”.
Sipas informacioneve paraprake, në momentin e ngjarjes në zonë ndodheshin dy vajza të mitura. Njëra prej tyre është sulmuar nga qeni, i cili e ka kafshuar dhe më pas e ka tërhequr zvarrë për disa metra, duke i shkaktuar lëndime që kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
E mitura është transportuar me urgjencë në spitalin e qytetit, ku po merr ndihmën e nevojshme nga stafi mjekësor, ndërsa gjendja e saj shëndetësore është nën monitorim.
Ndërkohë, rasti është referuar për procedim penal dhe autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
