Kryeministri Edi Rama ka folur për deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, që akuzonte Shqipërinë, Kroacinë dhe Kosovën për krijimin e një “aleance ushtarake” që, sipas tij, rrezikon Serbinë. Në një intervistë të dhënë për mediet turke, i pari i qeverisë shqiptare u shpreh se deklarata të tilla lidhen me faktin se Serbia ende nuk e ka pranuar realitetin e Kosovës.
“Presidenti Vuçiç është një njeri me shumë njohuri dhe intuitë, por ai ka makthin e tij: është Kosova. Kaq. Pikë”, u shpreh Rama.
Sipas tij, kur ky “makth” ndikon në reagimet emocionale të presidentit serb, ai arrin të bëjë deklarata që, sipas kryeministrit shqiptar, nuk kanë kuptim. Duke komentuar pretendimet për një aleancë të mundshme ushtarake mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, Rama i quajti ato të pabazuara.
“Kjo është një tjetër britmë në mes të makthit. Serbia ka një marrëveshje shumë më të fortë me Kroacinë sesa kjo që përmendet”, tha ai. Kryeministri shqiptar shtoi se Serbia duhet të pranojë realitetin e ri në rajon.
“Prandaj unë them gjithmonë: priteni litarin dhe lëreni të shkojë. Duke e lënë të shkojë, makthi do të përfundojë. Të mos e lësh diçka që tashmë ka ikur, e kthen atë në makth”, ka thënë më tej Rama. Megjithatë, pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, Rama theksoi se presidenti serb mbetet një lider me të cilin mund të zhvillohet dialog dhe të ndërtohen marrëdhënie mbi objektiva të përbashkëta.
“Mendoj se është dikush me të cilin mund të flitet dhe të ndërtohet së bashku mbi objektiva të përbashkëta”, përfundoi Rama.
