Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Lezhës, ku një automjet është gjetur i përmbysur në një kanal, ndërsa brenda tij janë konstatuar dy persona pa shenja jete.
Sipas informacioneve të raportuara nga korrespondentja e Top Channel, Brixhilda Deda, viktimat dyshohet se janë babë e bijë. Burime paraprake bëjnë me dije se aksidenti mund të ketë ndodhur disa orë më herët, gjatë pasdites, por automjeti është zbuluar vetëm në mbrëmje.
Ngjarja ka marrë një kthesë dramatike pasi kanë qenë familjarët ata që, të shqetësuar për mungesën e kontaktit, kanë nisur kërkimet për të afërmit e tyre. Vetëm pak kohë më vonë, gjatë një patrullimi rutinë, forcat e policisë kanë konstatuar automjetin e përmbysur në kanal, ku janë gjetur edhe dy trupat e pajetë.
Dyshohet se mjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal, duke u përmbysur, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e sakta të aksidentit. Nuk përjashtohet mundësia e humbjes së kontrollit të mjetit apo faktorë të tjerë që mund të kenë ndikuar në ngjarje.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policia e Shtetit dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, si dhe për të dokumentuar çdo detaj që mund të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të kësaj tragjedie.
