Teksa SPAK ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kërkon ta rikthejë në qeli, vetëm disa muaj pasi Apeli i GJKKO e liroi, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, nuk është gjetur në adresën ku banon.
Përmes shpalljes publike që mban datën 17 prill, raportohet se njoftimi i rekursit ka qenë i pamundur përmes shërbimit postar, meqenëse dëftesa e komunikimit është kthyer pas me shënimin “larguar”.
Ndërsa Prokuroria e Posaçme pretendon se nuk është dakord me interpretimin e vendimit të shkurtit 2026 për Lefter Kokën dhe kërkon në Gjykatën e Lartë rikthimin e tij në qeli.
Dhe ajo qe te habit me shume ne kete situate eshte fakti se nese nuk e gjen posta dhe SPAK, atehere askush nuk arrin ta gjeje, pasi ai mund te jete larguar nga vendi, sic kane bere dhe ministra te tjere.
Kujtojmë se më 11 dhjetor 2025, GJKKO hoqi masën e sigurisë “arrest me burg” për inceneratorin e Fierit. Çështja e inceneratorit është kthyer për rigjykim, por ende nuk është regjistruar në Apel. Në këtë kuptim, i ka përfunduar afati i mbajtjes në paraburgim, përderisa nuk ka një vendim të formës së prerë.
Koka u arrestua që prej dhjetorit 2021, i akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash, lidhur me aferat korruptive për inceneratorin e Fierit. Sipas akuzave të SPAK, për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në këtë skemë mashtrimi.
Në korrik 2025, Koka fitoi të drejtën e lirimit me kusht nga Gjykata e Durrësit për inceneratorin e Elbasanit, ku u dënua me 6 vite e 8 muaj burg, me gjykim të shkurtuar. Për Tiranën, iu shua masa e sigurisë “arrest në burg”, pasi dënimi prej 2 vitesh për “shpërdorim detyre” në shkallë të parë është ezauruar me paraburgimin.

