Fundjava ka sjellë rritje të ndjeshme të qarkullimit në pikën kufitare të Kakavijës, me lëvizje të shumta në të dy drejtimet e kufirit me Greqinë.
Gjatë së shtunës, një numër i madh automjetesh janë drejtuar nga Shqipëria drejt territorit grek. Udhëtarët janë përballur me pritje të gjata në anën greke të doganës, ku radha në mesditë ka arritur deri në rreth 3 kilometra.
Shumica e personave që kalojnë kufirin synojnë të festojnë javën e Pashkës ortodokse në Greqi. Paralelisht, ka edhe lëvizje të shtuar drejt Janinës për blerje, të nxitura nga çmime më të ulëta të mallrave.
Zbatimi i një regjimi të ri kontrolli në palën greke ka ndikuar në zgjatjen e kohës së përpunimit në kufi.
Autoritetet presin që gjatë ditëve në vijim fluksi të rritet më tej për shkak të festës.
