Pas Iranit, Trump paralajmëron: “Shumë shpejt ndryshime edhe në Kubë” Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, ndryshime të rëndësishme politike mund të ndodhin së shpejti edhe në Kubë.
Në një deklaratë për Politico, Trump u shpreh se ishulli komunist po përballet me një krizë të thellë ekonomike, e cila sipas tij mund të çojë në transformime të mëdha politike në një të ardhme të afërt.
“Kuba po kalon një periudhë shumë të vështirë dhe shumë shpejt mund të shohim ndryshime në ishull”, u shpreh Trump.
Deklarata e presidentit amerikan vjen në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare, pas përshkallëzimit të konfliktit me Iranin dhe debatit për rolin e Shteteve të Bashkuara në skenën globale.
Kuba prej vitesh përballet me mungesa të theksuara ushqimesh, energjie dhe karburantesh, ndërsa kriza ekonomike ka nxitur protesta dhe pakënaqësi sociale në vend.
Analistët ndërkombëtarë vlerësojnë se situata ekonomike dhe presioni ndërkombëtar mund të shtyjnë vendin drejt reformave politike dhe ekonomike, megjithëse mbetet e paqartë se kur dhe si mund të ndodhin këto ndryshime.

