Detaje të reja janë bërë publike nga aksidenti i rëndë i regjistruar pasditen e sotme në superstradën Fushë Krujë–Milot, në afërsi të Thumanës, ku fatkeqësisht është konfirmuar edhe një viktimë.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete, një tip “Mercedes”, me të cilin udhëtonte shtetasi Radvan Maja nga Borizana, dhe një “Volkswagen Passat”, që drejtohej nga shtetasi Ndrec Ruci nga Mirdita.
Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i “Passat”-it ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa pasagjerja që udhëtonte me të, shtetasja Tereze Laska, ka humbur jetën në vendngjarje.
Nga aksidenti ka mbetur e plagosur edhe një grua tjetër, e cila ndodhej pranë biznesit të saj buzë rrugës. Sipas të dhënave, ajo është goditur nga një pjesë e shkëputur e mjetit “Passat” pas përplasjes së fuqishme.
Paraprakisht dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e ndërprerjes së gabuar të rrugës nga drejtuesi i “Passat”-it, si dhe shpejtësisë së lartë të mjetit “Mercedes”, megjithatë këto mbeten në fazën e hetimit.
Ky zhvillim tragjik vjen pasi më herët dëshmitarët në vendngjarje raportuan për një përplasje të frikshme, ku një prej automjeteve ishte ndarë pothuajse në dy pjesë dhe kishte persona të bllokuar brenda.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa të plagosurit janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

