Skip to content

Pasagjeri i ve zjarrin autobusit dhe shkakton 6 viktima, shqiptari i shpetuar rrefen momentin e tmerrit: Ai derdhi benzine dhe…

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin në Kerzers, në kantonin Fribourg të Zvicrës, ku një autobus i transportit publik u përfshi nga flakët, duke lënë të paktën 6 persona të vdekur dhe 5 të plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike, sipas autoriteteve zvicerane dhe raportimeve lokale.

Mes dëshmitarëve është edhe një shqiptar 32-vjeçar, Faton Morina, i cili ka rrëfyer momentet e tmerrit që përjetoi gjatë incidentit. Morina, që aktualisht po trajtohet për djegie në gjymtyrë dhe në trup në spitalin Inselspital në Bern, ka treguar se ndodhej në autobus kur një burrë derdhi benzinë mbi vete dhe i vuri flakën, duke shkaktuar tragjedinë.

“E pashë me sytë e mi. Ai mori benzinë dhe i vuri flakën vetes. Paniku ishte i madh, njerëzit u përplasën dhe disa nuk mundën të shpëtonin”, citohet Morina nga kushëriri i tij, Arbi Berisha, për mediat zvicerane.

Sipas dëshmive të para dhe videove të shpërndara në rrjetet sociale, një burrë i moshuar që kishte me vete çanta me lëndë të ndezshme u pa duke derdhur benzinë mbi vete dhe duke u ndezur brenda autobusit.

Ngjarja ndodhi të martën pasdite, rreth orës 18:30, kur autobusi po udhëtonte drejt Kerzers-it në orët e pikut të pasagjerëve. Flakët përfshinë shpejt mjetin e mbushur me njerëz, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Disa arritën të largoheshin, ndërsa të tjerë mbetën të bllokuar brenda.

Sipas të afërmve të Morinës, dalja nga autobusi u bllokua, ndërsa djegiet ndodhën në momentin kur ai po përpiqej të hapte dyert për t’u shpëtuar.

Shumë nga të lënduarit, përfshirë Morinën, u transportuan në spitalet rajonale. Ai ka pësuar djegie kryesisht në duar, këmbë dhe fytyrë dhe aktualisht po trajtohet në gjendje të traumatizuar në spitalin Inselspital në Bernë. Një prej të plagosurve është dërguar me helikopter në një spital në Zürich.

Zyrtarët policorë kanë nisur një hetim penal për zjarrvënie, vrasje dhe rrezikim të jetës së të tjerëve, por deri tani nuk ka prova zyrtare që ngjarja të jetë një akt terrorizmi. Autoritetet po analizojnë pamjet nga kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e mbledhura për të përcaktuar shkaqet dhe motivet e incidentit, përfshirë edhe arsyen pse dera e autobusit nuk u hap menjëherë dhe pse disa pasagjerë mbetën të bllokuar brenda.

Published inDIASPORESHQIPERI