Kumbaro merret në pyetje si person në dijeni, 4 orë në SPAK
Ministrat dhe deputetët socialistë duket se janë bërë si “të shtëpisë” në SPAK. Pas shumë figurave që kanë ngjitur shkallët e Prokurorisë së Posaçme, sot ishte ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila është marrë në pyetje për afro 4 orë.
Ajo u fut në ambientet e prokurorisë në orën 13:00 dhe doli pak më parë, teksa është marrë në pyetje lidhur me një hetim që SPAK ka hapur mbi ndërtimin e stadiumit “Air Albania”.
Ishte vetë Kumbaro që tha para mediave se është pyetur për këtë çështje, por pa dhënë më shumë detaje.
“Isha si person në dijeni për çështjen e stadiumit ‘Arena’,” u shpreh Kumbaro, duke shtuar spekulimet për një aferë të re që po hetohet nga prokuroria speciale.
Deri më sot nuk ka pasur asnjë të dhënë se SPAK ka nisur hetimet mbi stadiumin kombëtar dhe nuk është e qartë se për çfarë çështje konkrete bëhet fjalë. Kumbaro ka qenë më herët ministre e Kulturës, më pas e Turizmit dhe Mjedisit dhe tani e Arsimit.
Kjo është hera e parë që Kumbaro merret në pyetje në SPAK. Por ndërkohë që ka mister mbi rastin e stadiumit, bëmat e saj janë të shumta, pasi kudo ku ka qenë ka kryer shkelje pa fund. Rasti më i freskët është një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për ish-Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, kur ajo drejtohej nga Kumbaro.
Pjesa më kritike e raportit lidhet me mënyrën si institucioni ka trajtuar vendimet gjyqësore për rikthimin në detyrë të punonjësve. Sipas auditimit, ministria ka paguar për vite me radhë detyrime ndaj punonjësve gjyqfitues, por pa i rikthyer në pozicionet e mëparshme apo në poste ekuivalente. Për pasojë, janë krijuar pagesa të dyfishta për të njëjtin funksion: një person është paguar sipas vendimit të gjykatës, ndërsa puna është kryer nga një tjetër punonjës.
Një tjetër gjetje e rëndë lidhet me kontratën për “Rikonstruksionin e godinës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit”. Nga verifikimet në terren, KLSH ka konstatuar diferenca mes volumeve të punimeve të raportuara dhe atyre të kryera realisht, si edhe punime të llogaritura jo sipas gjendjes faktike në objekt. Për këtë kontratë, auditimi evidenton një dëm ekonomik në vlerën 1.851.948 lekë.
Në drejtim të menaxhimit të brendshëm, KLSH ka konstatuar mungesë të gjurmëve të auditimit, mungesë dokumentimi për proceset vendimmarrëse, mospërditësim të rregullt të faqes zyrtare me dokumentet e transparencës dhe mungesë të një baze të centralizuar të të dhënave për të ardhurat, kontratat dhe detyrimet kontraktuale.
Një tjetër bllok problematikash lidhet me prokurimet. Sipas raportit, në disa tendera ka pasur kritere të veçanta që nuk përputheshin me objektin e kontratës, ndërsa në dy raste dokumentacioni i publikuar në sistemin elektronik të prokurimeve nuk përputhej me dokumentacionin fizik të dorëzuar pas shpalljes së fituesit. KLSH evidenton parregullsi edhe në procesverbalet e marrjes në dorëzim të shërbimeve, të cilat në disa raste nuk janë protokolluar, si dhe mungesë specialistësh të fushës në komisionet përkatëse.
Në sektorin e turizmit, auditimi thotë se në raportet e realizimit të projekteve me mbështetje financiare mungon evidenca e procesit të monitorimit nga grupet përkatëse, çka sipas KLSH cenon transparencën dhe rrit riskun për përdorim jo të verifikueshëm të fondeve. Pra bëmat e Kumbaros janë të shumta. /Pamfleti
