Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar rreth orës 23:00 në qytetin e Lezhës, në lagjen “Besëlidhja”, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës dhe dëme materiale në disa biznese dhe automjete.
Sipas informacioneve paraprake, të siguruara nga korrespondentja e Top Channel, Brixhilda Deda, nga shpërthimi janë dëmtuar disa ambiente biznesi dhe disa mjete që ndodheshin të parkuara pranë zonës ku ndodhi ngjarja.
Dyshohet se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një bombol gazi, e cila mund të ketë shpërthyer brenda një prej ambienteve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në zonë. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar nga policia për shkakun e saktë të shpërthimit.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima, ndërsa banorët e zonës kanë dalë të alarmuar nga banesat menjëherë pas shpërthimit të fortë që është dëgjuar në një pjesë të mirë të qytetit.
Policia dhe shërbimet zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe për të përcaktuar shkakun e shpërthimit. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e dëmeve dhe marrjen në pyetje të personave që ndodheshin pranë zonës në momentin e shpërthimit.
Autoritetet pritet të japin një njoftim zyrtar pasi të përfundojnë verifikimet paraprake.
