Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, është shtruar me urgjencë në spital pasi gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit.
Sipas mediave serbe, 60-vjeçari, i cili prej vitesh vuan nga diabeti dhe probleme të tjera shëndetësore shoqëruese, është diagnostikuar me pneumoni bilaterale dhe ndodhet nën kujdes intensiv në Qendrën Klinike në Beograd.
Burime mjekësore bëjnë me dije se gjendja e tij ka qenë kritike, ndërsa në një moment është lidhur me ventilim mekanik për shkak të nivelit të ulët të oksigjenit në gjak. Mësohet se për një periudhë të shkurtër ai ka arritur të marrë frymë pa aparat, por më pas është rikthyer sërish në ventilim.
Sipas raportimeve, Daçiç është dërguar me urgjencë në spital pasi kishte shfaqur vështirësi në frymëmarrje gjatë një aktiviteti publik. Mjekët deklarojnë se po bëhen të gjitha përpjekjet për stabilizimin e gjendjes së tij, ndërsa priten informacione të mëtejshme në ditët në vijim.
Gjendja shëndetësore e ministrit ka ngjallur reagime në opinionin publik dhe në mediat serbe, ndërsa autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën.

