Tensionet mes dy këngëtareve të njohura, Jonida Maliqi dhe Soni Malaj, kanë shpërthyer sërish në “Ferma VIP”, duke kthyer një debat të zakonshëm në një përplasje të fortë publike që ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave roze.
Gjithçka nisi gjatë spektaklit të së hënës, kur një debat mes Jonidës dhe konkurrentes Malbora u përshkallëzua pas ndërhyrjes së Soni Malajt. Reagimi i saj solli replika të ashpra mes dy këngëtareve, duke krijuar një klimë tensioni që vijoi edhe në ditët në vazhdim.
Këtë të premte, dy artistet u përballën sërish drejtpërdrejt, duke mohuar kategorikisht se mes tyre ka pasur konflikte të vjetra apo përplasje të mëparshme. Megjithatë, edhe gjatë kësaj përballjeje, tensioni ishte i dukshëm dhe debati mori tone personale.
Gjatë diskutimit, Jonida Maliqi u shpreh e zhgënjyer nga sjellja e Sonit:
“Kemi qenë të qarta në qasje. Nuk kemi pasur mundësi të flasim me njëra-tjetrën. Të gjitha i kam thënë si i kam menduar. Për mua ishte zhgënjyese. Unë nuk do e bëja po të isha në vendin e saj. Për respekt të kohës që kemi kaluar bashkë. Është e turpshme. Ishte një situatë që nuk duhet të ndodhte.”
Nga ana tjetër, Soni Malaj mohoi çdo konflikt të fshehtë dhe theksoi se reagimi i saj lidhej vetëm me situatën konkrete:
“Nuk kam asnjë gjë. Kur kam marrë vesh që do jetë Jonida jam gëzuar. I vetmi reagim i imi është me talljen që i është bërë Malborës nga Jonida dhe Sara. Malbora ka një nënë artiste dhe ajo ka një formim si grua dhe shumë e artikuluar. Gjatë prime të kaluar ishte përplasje Malbora-Jonida, pastaj kur më kërkove mendim, u shqetësova nga tallja që po i bëhej Malborës. Unë do reagoja edhe po të ishte anasjelltas. Nuk ka konflikt të fshehtë, thjesht ishte reagim për situatën. Ty duhet të të vijë turp nga vetja.”
Megjithëse të dyja këngëtaret mohuan një përplasje të vjetër, mediat roze kanë rikthyer në vëmendje një tjetër element që përflitet prej vitesh: raporti i tyre me këngëtarin Flori Mumajesi.
Sipas spekulimeve që qarkullojnë prej kohësh, të dyja artistet janë përfolur për lidhje të ndryshme me Mumajesin në periudha të ndryshme, çka ka ushqyer zërat për një rivalitet të hershëm mes tyre. Edhe pse asnjëra prej tyre nuk e ka konfirmuar ndonjëherë këtë si shkak konflikti, përplasjet e fundit kanë bërë që këto aludime të rikthehen në fokus.
Në rrjetet sociale, ndjekësit janë ndarë në dy kampe, ku një pjesë e konsideron debatin si një reagim spontan brenda lojës, ndërsa të tjerë besojnë se tensioni mes dy këngëtareve ka rrënjë më të thella se sa ajo që shfaqet në ekran.
Pavarësisht deklaratave publike për mungesë konflikti, përplasjet e vazhdueshme në “Ferma VIP” kanë ngritur pikëpyetje të forta nëse mes Jonida Maliqit dhe Soni Malajt ekziston një rivalitet i vjetër që tashmë ka dalë në sipërfaqe.
