Skip to content

Skandal/ Berisha dhe Topalli votojnë hapur kundër shkarkimit të ministers së Ramës

Parlamenti i Shqipërisë votoi me 83 vota pro dhe 2 kundër për shkarkimin e Elisa Spiropali nga posti i ministres së Jashtme.

Ajo që tërhoqi vëmendjen gjatë votimit ishte fakti se në tabelën elektronike u shfaqën dy vota kundër, të regjistruara në emër të Jozefina Topalli dhe Sali Berisha.

Gjatë momentit të votimit, kreu i Partisë Demokratike ndodhej në foltoren e Kuvendit duke kërkuar të merrte fjalën, ndërsa situata në sallë ishte e tensionuar.

Pas publikimit të votimit, ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli reagoi duke sqaruar se vota kundër ka qenë një lapsus teknik dhe jo një qëndrim politik i saj.

Sipas Topallit, në momentin kur opozita nuk po merrte fjalën dhe situata ishte kaotike në sallë, ajo kishte shtypur butonat në sistemin elektronik për të kërkuar fjalën, por kjo ka përkuar me momentin e votimit.

“Në momentin e kaosit në Parlament, kur opozitës nuk po i jepej fjala, kam shtypur gabimisht dy butonat në sistem për të marrë fjalën. Kjo ka përkuar rastësisht me momentin e votimit për shkarkimin e një ministri. Bëhet fjalë për një lapsus teknik dhe jo për shprehje të vullnetit tim politik”, u shpreh Topalli.

Ajo shtoi gjithashtu se në atë moment Sali Berisha ndodhej në foltore dhe nuk ka votuar, duke lënë të kuptohet se regjistrimi i votës kundër mund të jetë bërë për shkak të konfuzionit gjatë procesit të votimit në sallën e Kuvendit.

Published inSHQIPERI