Ditën e djeshme në Lushnje u shënua një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë, ku një 36-vjeçar u zbulua se ka zhvarrosur eshtrat e një gruaje të ndarë nga jeta prej 17 vitesh.
Policia bëri me dije se autori i dyshuar është Edison Ngresi, i cili raportohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Pas shoqërimit në polici i riu e ka pranuar veprimin, por nuk ka dhënë shpjegime për motivin. Mësohet se ai ka qenë edhe më herët problematik në zonë dhe ka kryer akte dëmtimi në varrezat e qytetit.
Historia e tij personale paraqitet e vështirë: ka qenë një student i shkëlqyer në Fakultetin e Mjekësisë, ku ka studiuar për tre vite, por më pas i ka ndërprerë studimet për shkak të problemeve të shëndetit mendor. Po ashtu, i kanë ndërruar jetë të dy prindërit dhe aktualisht jeton i vetëm, duke pasur vetëm një vëlla.
Ngjarja u konstatua rreth orës 10:00 nga roja i varrezave, i cili vuri re dëmtime në pjesën e sipërme të një varri. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se gërmimi është kryer nga 36-vjeçari, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave.

