Aktet që çuan në vdekjen e 19-vjeçares Myrto në një dhomë hoteli në Argostoli të Greqisë po dalin në dritë hap pas hapi. Si pamjet filmike të siguruara nga policia greke dhe të publikuara nga mediat, ashtu edhe dëshmia e njërit prej tre të arrestuarve, hedhin dritë mbi momentet kritike që përfunduan me vdekjen e saj, e cila sipas mjekëve ligjorë erdhi si pasojë e arrestit kardiak.
Sipas deklarimeve të 23-vjeçarit, Myrto kishte konsumuar në mënyrë të përsëritur kokainë, të cilën e kishte siguruar një ish-kampion i peshëngritjes së bashku me një mik të tij nga Shqipëria.
Kur e reja u rrëzua pa ndjenja, tre të rinjtë nuk thirrën urgjencën, por tentuan të zhduknin çdo provë që i implikonte, madje edhe vetë trupin e saj, pasi, siç pretenduan, u kapën nga frika. Megjithatë, veprimet e tyre nuk tregojnë panik, por një qetësi të pazakontë, deri në kufijtë e cinizmit, shkruan Protothema.
Ata vendosën ta nxirrnin vajzën jashtë hotelit për të shmangur përgjegjësinë. Sipas pamjeve filmike, ishte ish-peshëngritësi ai që e transportoi Myrton. Më pas e lanë në një shesh dhe u shtirën sikur nuk dinin asgjë.
Kur ambulanca mbërriti në orët e para të mëngjesit, ekipet e emergjencës e gjetën 19-vjeçaren të veshur, pa shenja të dukshme dhune, të shtrirë mbi një mur anësor. Dy nga të arrestuarit, 26 dhe 22 vjeç, ky i fundit shqiptar, ndodheshin në vendngjarje dhe deklaruan se e kishin gjetur rastësisht pa ndjenja.
Ata madje kishin telefonuar urgjencën nga celulari i 23-vjeçarit, i cili nuk ndodhej në vendin ku u gjet viktima. Ndërkohë, 23-vjeçari ishte kthyer në hotel për të pastruar dhomën ku ishte konsumuar kokaina, ndërsa kishte fshehur edhe telefonin e vajzës në një lokal të zonës.
Sipas dëshmisë së njërit prej të arrestuarve, takimi mes tij dhe Myrtos ishte planifikuar në orët e para të mëngjesit të së martës. Ata kishin vendosur të qëndronin në një apartament me qira për të dëgjuar muzikë dhe për të biseduar.
“Diku gjatë mbrëmjes, Myrto më tha ‘dua të pi’, duke nënkuptuar kokainë. I thashë se njihja dikë dhe e kontaktova përmes Instagramit. Ai erdhi pas rreth 15 minutash dhe solli një sasi kokaine, të cilën e pagoi Myrto. Qëndroi rreth gjysmë ore me ne. Më pas u largua dhe u kthye sërish me më shumë kokainë, pasi Myrto e kërkonte vazhdimisht,” deklaroi ai.
Më tej ai shtoi se kishte tentuar ta ndalte 19-vjeçaren: “I thosha të ndalonte, sepse dukej sikur po përjetonte paranojë” Në vijim të dëshmisë, 23-vjeçari përshkroi momentet kritike: “Dola në ballkon dhe më pas e pashë duke pasur konvulsione, duke u dridhur në shtrat. Fillimisht mendova se po bënte shaka, por kur vazhdoi, kuptuam se diçka nuk shkonte. U përpoqëm ta ndihmonim, por nuk po vinte në vete.”
Ai pretendon se donte të telefononte ambulancën, por u pengua nga dy të tjerët.
“S’mund të thërrisnim ambulancën, kishim frikë të mos përfshiheshim,” i kishin thënë ata. Më pas vendosën ta çonin poshtë dhe të pretendonin se e kishin gjetur në rrugë.
“Ish-peshëngritësi e mori në krahë pa ndjenja dhe e nxorën jashtë. Unë ndërkohë mblodha gjithçka nga apartamenti,” tha ai.
Më vonë, sipas tij, ish-atleti u kthye dhe i tha se ambulanca e kishte marrë dhe se ajo ishte mirë. 23-vjeçari më pas mori telefonin e vajzës dhe shkoi drejt spitalit, por nga frika nuk e dorëzoi, duke e lënë më pas në një kafene.
Pamjet filmike zbardhin lëvizjet
Materiali video tregon momentet e fundit para se Myrto të gjendej pa ndjenja në Argostoli. Në një nga pamjet, në orën 04:31, ish-peshëngritësi shihet duke e transportuar vajzën nga hoteli drejt sheshit ku më pas u braktis.
Pamje të tjera tregojnë mbërritjen e saj në hotel në orën 00:27 të datës 14 prill, së bashku me një person tjetër.
Myrto 19 vjacarja ne greqi (1)
Kronologjia e ngjarjes
00:27 – Myrto hyn në ndërtesën ku ndodhej apartamenti me qira, së bashku me një mik të saj
02:21 – Ish-peshëngritësi mbërrin në ndërtesë
02:52 – Largohet dhe rikthehet në 03:11
03:27 – Mbërrin 22-vjeçari nga Shqipëria
04:31 – Myrto nxirret pa ndjenja nga ndërtesa
04:46 – Ish-atleti shihet sërish duke dalë nga ndërtesa
05:14 – Largohet edhe miku i saj, pasi kishte qëndruar për të pastruar ambientin dhe për të fshehur provat
Të tre të rinjtë u paraqitën para gjykatës dhe morën afat për t’u mbrojtur deri të premten në orën 10:00. Ata përballen me akuza për vrasje me dashje përmes mosveprimit, si dhe për posedim dhe përdorim të lëndëve narkotike në rrethana rënduese.
Sipas njoftimit zyrtar, 19-vjeçarja u transportua me ambulancë nga një shesh qendror i Argostolit drejt spitalit, ku u konstatua vdekja e saj.
Hetimet zbuluan përfshirjen e tre të rinjve përmes analizës së pamjeve filmike dhe dëshmive. Po ashtu, u dokumentuan përpjekjet për pastrimin e vendit dhe fshehjen e provave.
Ndërkohë, ekspertët kriminalistikë kryen ekzaminimet përkatëse në vendngjarje, ndërsa është urdhëruar edhe kryerja e autopsisë për të përcaktuar me saktësi shkaqet e vdekjes.

