Ditën e sotme u zyrtarizua se përballë Sali Berishës, në zgjedhjet për kreun e PD-së, do të kandidojë vetëm mjekja Mereme Sela, ndërsa nuk janë lejuar të kandidojnë zëra kritikë si Ervin Salianji, Alesia Balliu apo Evi Kokalari.
Anëtari i PD-së, Avenir Peka, i cili është vëllai i gazetarit të njohur pranë PD-së, Çim Peka (packa se ky i fundit ne mediat e tij nuk e ka shfaqur deklaraten e te vellait), nuk i ka kursyer kritikat ndaj kryedemokratit Sali Berisha, duke u shprehur se partia është kthyer si “han pa porta”.
“Po të më pyesësh mua, unë nuk do ta bëja këtë që bën Sali Berisha. Nuk mund ta bësh partinë han pa porta, që të hyjë kush t’i teket”, tha ai në Euronews Albania.
Më tej, Peka theksoi se në PD duhet të respektohet një hierarki politike mes anëtarëve.
Peka: Kur flasim për luftë politike dhe për lëvizje kryetarësh në një forcë politike, Partia Demokratike është simbol i saj, pasi janë shqyer dyert e demokracisë së brendshme. Po të më pyesësh mua, unë nuk do ta bëja këtë që bën Sali Berisha.
Nuk mund ta bësh partinë han pa porta, që të hyjë kush t’i teket. Politika ka një hierarki, është karrierë: kush futet në politikë, ndërton karrierë, e cila fillon nga zero dhe përfundon në majë.
Nëse do të garosh për anëtar seksioni, duhet të jesh anëtar i partisë; nëse do të garosh për kryesi, duhet të jesh në Këshillin Kombëtar; nëse do të garosh për kryetar, ekziston një hierarki. Asnjëri nga këta nuk e plotëson”, u shpreh Peka.
