Skip to content

Tre shqiptarët përfunduan të murosur në kantierin e ndërtimit ku po punonin

Detaje të reja kanë dalë nga tragjedia e ndodhur në një kantier ndërtimi në Vjenë të Austri, ku tre shtetas nga Kosova humbën jetën tragjikisht gjatë orarit të punës.

Viktimat janë identifikuar si Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj. Ata po punonin mbi një skelë ndërtimi së bashku me dy punëtorë të tjerë, kur struktura mbajtëse u shemb papritur.

Sipas mediave austriake, punëtorët mbetën të bllokuar nën betonin që ende nuk ishte ngurtësuar. Për shkak të kësaj, operacioni i shpëtimit u bë shumë i vështirë dhe kërkoi ndërhyrje të madhe nga ekipet e emergjencës.

Zjarrfikësit deklaruan se oborri i ngushtë i ndërtesës ku po kryheshin punimet e vështirësoi shumë afrimin te të bllokuarit. Për më tepër, për shkak se betoni ishte i lëngshëm, ekipet e shpëtimit u detyruan ta largonin atë me duar për të arritur te viktimat.

Fillimisht u nxorën dy nga punëtorët e bllokuar, por ata u konstatuan pa shenja jete. Vetëm pas rreth dy orë e gjysmë, pasi betoni filloi të ngurtësohej, ekipet arritën të nxirrnin edhe dy trupat e tjerë.

Në vendngjarje ndërhynë rreth 120 efektivë të zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile me rreth 30 automjete, por pavarësisht përpjekjeve intensive, punëtorët nuk mundën të shpëtoheshin.

Sipas raportimeve, aksidenti ndodhi rreth orës 14:00 në oborrin e një ndërtese banimi në rrugën Porzellangasse, gjatë punimeve për betonimin e një papafingoje.

Ndërkohë, për tragjedinë ka reaguar edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, e cila shprehu dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet për familjet e viktimave, duke bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas informacioneve të publikuara në media, një nga viktimat, Asllan Musliu, thuhet se kishte qenë ish-ushtar i Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa për Pajtim Bajramin raportohet se kishte lënë pas bashkëshorten dhe dy vajza të vogla, megjithatë këto detaje nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht.

Published inKOSOVESHQIPERI