Ish-Kreu i Shtetit dhe aktualisht President i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka lëshuar një deklaratë audio nga qelia, duke treguar se po i mohohen të drejtat, disa po i shkelen e të tjera në mënyrë abuzive po tjetërsohen.
Meta është vizituar në qeli nga përfaqësuesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Zylyftar Bregu, i cili ka marrë edhe kontakt me drejtuesit e Burgut “Jordan Misja” në Tiranë, duke i ballafaquar me pretendimet e Ilir Metës.
“… ju falenderoj se vetëm pas konstatimit nga ana e përfaqësuesit tuaj, se në tualetin e kësaj qelie nuk kishte drita, menjëherë erdhën elektriçistët dhe i vendosën, pasi këtë punë nuk i lejonin ta bënin që nga 23 tetori 2024, kur unë u bëra banor i IEVP-së që mban një emër Heroi si Jordan Misja. Sigurisht që kjo është një neglizhencë “e vogël”, të cilën unë se kam ngritur kurrë publikisht, pasi këto sjellje ordinere nuk më habisin e shqetësojnë, por as përfaqësuesi juaj nuk do ta besonte po ta thoja publikisht pa e parë me sytë e tij. Mistrecllëqe të tilla ka dhe shumë të tjera, që përfaqësuesi juaj mund t’jua thotë juve siç është edhe shpimi i bidonave plastikë prej 20 litrash për të më cënuar sado pak mua ushtrimet fizike në qeli, meqënëse këtu nuk ka palestër”, thotë Ilir Meta.
Presidenti thotë se ajo që e ka shqetësuar më shumë ka qenë takimi që përfaqësuesi i KSHH ka zhvilluar me shefin e Policisë së Burgut, i cili është shprehur se Ilir Meta del në ajrosje si gjithë të tjerët.
“Unë i kërkova ballafaqim përfaqësuesit tuaj me këtë përgjegjës policie, emrin e të cilit ai nuk e dinte ose nuk ma tha. Po kështu, jam i hapur në çdo kohë, në praninë tuaj apo të përfaqësuesve të Komitetit të Helsinkit, që të ballafaqohem me këtë përgjegjës policie, që mashtron Komitetin e Helsinkit”, nënvizon Meta.

