Një histori dashurie që nisi katër vite më parë, sot mbart një dhimbje të madhe. Migena dhe Noeli kurorëzuan lidhjen e tyre me ëndrra të thjeshta, si çdo çift i ri që pret të ndërtojë një jetë së bashku. Mes planeve dhe shpresave, dëshira për t’u bërë prindër ishte ndër më të mëdhatë.
Kjo dashuri solli në jetë dy vogëlushe, dy binjake që erdhën si bekim. Por fati, në një kthesë të dhimbshme, nuk i dha Migenës mundësinë t’i mbante në krahë, e t’i ndiente pranë dhe t’u merrte erë.
Gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua menjëherë pas lindjes dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe solidaritetit të qytetarëve që iu përgjigjen thirrjes për ndihmë duke i dhuruar gjak, ajo nuk arriti të mbijetonte.
Migena mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e sotëm, në moshën 27-vjeçare, në lule të rinisë, duke lënë pas bashkëshortin e sja, Noelin dhe dy vajzat e porsalindura. Ajo ishte me profesion mësuese, një vajzë e re me ëndrra të mëdha dhe një nënë që nuk arriti të jetojë fillimin e rrugëtimit më të bukur.
Ngjarja ka prekur thellë qytetin e Shkodrës, ndërsa reagimet nuk kanë munguar. Deputetja socialiste Marjana Koçeku, e cila e njihte nga afër çiftin, ndau dhimbjen e saj përmes një reagimi në rrjetet sociale.
“Humbja e Migenës gjatë lindjes së dy binjakeve asht lajm i randë për tanë qytetin e Shkodrës. Zoti kjoftë afër bashkëshortit të saj Noelit, familjarëve e dy vajzave që solli në jetë. Si bashkëmoshatare dhe mike e tyne, ndjej dhimbje të madhe për këtë ngjarje tragjike. Ngushëllime Noelit dhe familjarëve! Migena kjoftë e parajsës”, shkruan Koçeku.

