Muaji maj është muaji me “tre” hëna, përcaktoi astrologia Chrysanthi Kalogeri, e cila ishte e ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, sot më 1 maj, për të bërë parashikimin e muajit për të gjitha shenjat.
Sipas saj, ky muaj, i cili do të ketë sot hënën e plotë në shenjën e Akrepit, hënën e re në shenjën e Demit në datën 16 maj dhe hënën e plotë në shenjën e Shigjetarit në fund të muajit, është shumë interesant.
Ajo bëri të ditur se një nga temat e cila do të na shqetësojë do të jetë sfera financiare, por edhe ana emocionale gjithashtu.
“Pjesa e dytë e muajit është e mirë sepse na shpërblen në çdo drejtim dhe hëna e plotë në shenjën e Shigjetarit është një hënë shumë pozitive ku do të kemi shanse të përforcojmë realizimet tona”, pohoi astrologia.
Dashi:
Situata dhe faktorë të jashtëm ushtrojnë një presion tek ju dhe ju stresojnë në realizimin e synimeve tuaja. Duhet të shikoni nëse këto synime apo plane qëndrojnë në baza reale dhe ju vetë duhet të keni guximin dhe forcën të gjeni të gjitha zgjidhjet që duhen për realizimin e tyre. Një nga temat kryesore që do t’ju shqetësojë është sfera financiare, por edhe siguria juaj e brendshme dhe ana emocionale, ku do të keni shanse unike në këtë fushë. Duhet të jeni të kujdesshëm në iniciativat që do të merrni në gjysmën e parë të muajit, ndërkohë që në gjysmën e dytë të muajit mund të bëni fillime të reja në sferën financiare, por edhe në realizimin e një vatre familjare. Favorizohet jeta juaj emocionale në dhjetë ditët e fundit të muajit.
Demi:
Shqetësimi juaj do të jenë marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja, ku aty do të hyni në konflikte dhe të tjerët do të ushtrojnë presion. Mund të keni ndryshime që do t’i shikoni brenda majit në sferën profesionale dhe në jetën tuaj sociale. Nga 18 maji dhe tutje, me kalimin e Marsit në shenjën tuaj, vërtet do t’ju japë një shtytje të mëtejshme dhe do t’ju bëjë më këmbëngulës, por paralelisht do t’ju bëjë më kokëfortë dhe në disa raste mund të bëheni edhe më agresivë. Gjithsesi, shanse më të mira për fillime të reja janë në pjesën e dytë të majit dhe kryesisht në datën 26 maj.
Binjakët:
Preokupimi juaj do të jetë përditshmëria, rutina, puna, ku do të keni një ngarkesë, por edhe zhvillime si rezultat i disa ndryshimeve që do të jenë bërë dhe bëhen në shenjën tuaj. Gjithsesi, Afërdita në shenjën tuaj ju krijon shanse shumë të mira për të arritur me lehtësi gjëra që dëshironi dhe me lehtësi të realizoni marrëdhënie dhe bashkëpunime fitimprurëse. Gjithashtu ju krijon shanse të keni një lulëzim në jetën tuaj personale dhe emocionale, të keni mbështetjen e rrjetit tuaj social dhe të miqve që ju rrethojnë. Nga data 17 maj, me kalimin e Mërkurit, por edhe nga data 21 me kalimin e Diellit në shenjën tuaj, do të jeni shumë aktivë dhe do të keni gjithë shanset që të keni ndryshime, të arrini suksese dhe të fokusoheni pak më tepër nga fundi i muajit në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja të çdo lloji.
Gaforrja:
Maji do të jetë shumë pozitiv për ju, nëse ju nuk do të jeni shumë sentimentalë dhe subjektivë. Pra, nëse nuk do t’i shikoni gjërat në këndvështrimin sesi do të donit ju të ishin. Vazhdoni të jeni të fokusuar në karrierën tuaj dhe punën tuaj, ku do të keni zhvillime e biseda që ndoshta nuk duhet t’i dinë të tjerët dhe këto mund të kenë të bëjnë edhe me jetën tuaj profesionale, emocionale, njëkohësisht edhe me një mbështetje financiare që ju mund të kërkoni. Do të bazoheni në synime dhe projekte të reja në jetën tuaj dhe në realizimin e tyre do të keni edhe aleatë dhe gjithë mjedisin tuaj shoqëror, por edhe njerëz të fuqishëm që do t’ju mbështesin.
Luani:
Një periudhë aktive për ju dhe temat kryesore në gjysmën e parë të muajit do të jenë familja, shtëpia, ku do të keni disa probleme që vijnë nga marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja. Mund të mbyllni një kapitull për të filluar një kapitull të ri dhe gjysma e dytë e majit ju sjell shanse për të bërë fillime të reja në punën tuaj, në karrierën tuaj apo në jetën tuaj sociale, ku do të keni ndihmën dhe mbështetjen e njerëzve me të cilët ju bashkëpunoni në punën tuaj, por edhe të njerëzve që ju duan dhe përbëjnë rrjetin tuaj miqësor dhe shoqëror. Keni shanse të merrni udhëzime, ide e këshilla të duhura dhe të përshtatshme me qëllim që ju të arrini suksesin e dëshiruar. Paralelisht do të keni mbështetje financiare dhe brenda majit do të mund të bëni një udhëtim të bukur me miq, shokë ose të dashurit tuaj.
Virgjëresha:
Maji ju fton të merrni vendime kryesisht në pjesën e parë të tij dhe në fakt nuk është pikërisht tani momenti të merrni vendime për arsye se do të keni disa ndryshime në jetën tuaj. Këto ndryshime do të vijnë dhe do të marrin formën e tyre pavarësisht se doni apo nuk doni ju. Nëse ju do të jeni të qetë dhe gjakftohtë dhe do të keni një arsyetim ashtu siç i përshtatet shenjës tuaj të udhëhequr nga arsyetimi dhe logjika, atëherë ndryshimet do të vijnë në mënyrë të tillë që t’i përshtaten punës dhe përditshmërisë suaj me qëllim që t’i shërbejnë jetës dhe shëndetit tuaj. Gjithsesi, maji do të jetë shumë i mirë për ju dhe në gjysmën e dytë të tij, një trajektore e re hapet dhe horizonte të tjera përpara jush, ndoshta të lidhura me vendime serioze dhe një fillim të ri në lidhje me të ardhmen tuaj. Këto ndryshime do të kenë jetëgjatësi.
Peshorja:
Një nga aspektet kryesore për ju do të jetë sfera financiare. Në gjysmën e parë të muajit do të duhet të përqendroheni më tepër në xhepin tuaj, në mënyrën sesi ju do të organizoni sa më mirë pjesën financiare, me qëllim që kjo të krijojë kushtet që ju të keni një siguri të brendshme emocionale. Ana financiare mund të jetë e implikuar pak me anën emocionale dhe në njëfarë mënyre ju duhet të evitoni kontradiktat, konfliktet ose iniciativa më të mëdha sesa mund të përballojnë shpatullat tuaja situata ekzistuese. Gjysma e dytë e majit ju krijon shanse shumë të mira për të realizuar një bashkëpunim të ri financiar ose të keni një shans për të filluar një punë e cila do t’ju pëlqejë dhe me fillimin e kësaj pune dhe kësaj karriere të bëni një fillim të ri në sferën financiare. Gjithsesi, perspektiva të reja hapen për ju dhe për të ardhmen. Do të keni shanse gjithashtu gjatë muajit maj të bëni disa ndryshime që kanë të bëjnë me planet e jetës suaj në të ardhmen. Do të keni mundësi të udhëtoni dhe të zgjidhni çështje me ligjin, me studimet, me jashtë. Vazhdoni të jeni të kujdesshëm për t’i parë gjërat në mënyrë më realiste se herët e tjera.
Akrepi:
Maji ju gjen të ngarkuar edhe nga ana emocionale, pasi ju shqetësojnë çështje qendrore në jetën tuaj. Mund të keni ndryshime në familje, probleme në familje, ndryshime të vendbanimit, por edhe ndryshime që kanë të bëjnë me punën apo me bashkëpunimet tuaja. Gjatë muajit maj do të realizoni një bashkëpunim të ri me stabilitet dhe me perspektivë për të ardhmen. Ndërkohë që do të keni shanse të gjeni mbështetjen financiare, të cilën do ta përdorni për të përmirësuar kushtet e jetesës suaj, ose për të përmirësuar punën, biznesin dhe përditshmërinë tuaj. Njëkohësisht vazhdoni të jeni në një periudhë shumë pozitive, ku gjërat që bëni tani hapin rrugën në të ardhmen tuaj dhe vendosin jetën tuaj në baza më të mira sesa në herët e tjera. Gjithsesi gjatë muajit maj mund të keni disa ngjarje që do të vijnë nga faktorë të jashtëm, jashtë dëshirës tuaj, dhe mund t’ju stresojnë, por është momenti t’i pranoni dhe të shikoni hapat tuaj të mëtejshëm.
Shigjetari:
Maji vazhdon të jetë shumë aktiv për ju, ku do të vazhdojë t’ju shqetësojë edhe jeta emocionale dhe jeta erotike, por do t’ju shqetësojë edhe fusha e marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve, ku do të keni edhe disa ndryshime. Njerëz të rinj do të hyjnë në jetën tuaj gjatë muajit maj dhe do të keni akoma më shumë shanse në fushën e marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve, sidomos në dhjetëditëshin e tretë të muajit maj, pasi hapet një fazë e re për ju në këtë sferë. Gjatë muajit maj mund të takoni njerëz, të cilët do t’ju bëjnë të ndryshoni jetën, të krijoni marrëdhënie emocionale, të cilat janë ndryshe nga herët e tjera dhe pasi të kalojnë disa sprova do të kenë të gjitha shanset që të qëndrojnë në të ardhmen. Gjithashtu do të keni shanse që të gjeni bashkëpunëtorë të rinj që do të plotësojnë ambiciet tuaja për zhvillim, përparim dhe krijim. Njëkohësisht maji ju ofron mbështetje financiare në përgjithësi dhe në veçanti për realizimin e disa planeve që ju keni në përditshmërinë tuaj dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe kushteve të punës.
Bricjapi:
Maji është një muaj shumë pozitiv për ju edhe pse ju gjen të stresuar në lidhje me probleme që ju keni në familjen tuaj, në lidhje me probleme që keni me prona, për të cilat keni shanse që t’i zgjidhni brenda muajit maj. Në pjesën e dytë të majit do të jeni akoma më të favorizuar qoftë në jetën tuaj erotike, qoftë në lidhje me një plan investimi ose një projekt krijues që ju keni, por do të merrni gëzime nga fëmijët tuaj për shkak të fillimeve të tyre të reja dhe hapave pozitivë në jetën e tyre. Njëkohësisht përditshmëria juaj do të jetë aktive, por edhe pozitive, ku do të krijohen shanse të bëhen disa ndryshime. Më të kujdesshëm duhet të jeni në sferën financiare në gjysmën e parë të muajit, pasi disa lëvizje, nëse janë të mëdha, përcaktojnë sferën financiare në periudhën në vazhdim. Jeni në një fazë unike në fushën e marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve.
Ujori:
Edhe ju jeni një nga më të ndikuarit e muajit maj, ku aspektet astrologjike ndikojnë në çështje që kanë të bëjnë me aspekte qendrore të jetës suaj dhe pikërisht me çështje që kanë të bëjnë me punën, karrierën dhe jetën sociale, por nga ana tjetër edhe me familjen, shtëpinë dhe vendbanimin kërkojnë nga ana juaj të trajtohen në mënyrë të ekuilibruar. Nuk përjashtohet mundësia të bëni një ndryshim vendi, një ndryshim shtëpie apo në lidhje me ambientin familjar. Disa nga ju kanë përballuar ndryshimet e periudhës së kaluar dhe do të vendosni për një fillim të ri familjar në krijimin e një foleje për një bashkëjetesë. Shanse unike paraqiten për ju në dhjetëditëshin e tretë të majit në sferën emocionale, anën erotike dhe në realizimin me baza të shëndosha të një projekti krijues. Përditshmëria dhe puna juaj do të përmirësohen dhe do të kenë një harmoni me jetën familjare.
Peshqit:
Vazhdoni të jeni të përqendruar dhe të fokusuar në sferën financiare. Vendimet dhe lëvizjet që do të merrni në sferën financiare do të përcaktojnë një të ardhme më afatgjatë. Nuk përjashtohet mundësia që maji t’ju japë shanse të tilla për të bërë një investim ose për të hedhur një pjesë të të ardhurave tuaja në përmirësimin e kushteve të shtëpisë dhe ku ju veproni. Nga ana tjetër maji ka shanse shumë të mira në jetën tuaj emocionale e në lidhje me çdo gjë që ju jep kënaqësi, gjithashtu në lidhje me fëmijët. Do të keni mundësi të udhëtoni, të bëni një fillim të ri në lidhje me përditshmërinë tuaj, çka ka të bëjë me lëvizjet, të promovoni sa më mirë punën tuaj dhe ju që keni biznesin tuaj të gjeni klientelë të re që do të mbështesë projektet tuaja të zhvillimit dhe premton realizime në lidhje me të ardhmen në lidhje me jetën tuaj personale dhe emocionale. Ju jeni emocionalë, sa më pak t’i shihni gjërat në bazë subjektive, aq më mirë do të arrini suksesin në muajin maj, i cili është shumë pozitiv për ju.
