Irani ka paralajmëruar konflikt të ri me SHBA, pas refuzimit nga Donald Trump të një propozimi të fundit për paqe nga Teherani. Irani akuzon Uashingtonin për mungesë besueshmërie dhe paralajmëron masa të ashpra në rast përshkallëzimi, ndërsa riafirmon kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit.
Skenari i përshkallëzimit të luftës është gati. Një zyrtar i lartë ushtarak iranian ka paralajmëruar se mund të zhvillohet një konflikt i ri me Shtetet e Bashkuara, pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump refuzoi propozimin më të fundit të paqes të paraqitur nga Teherani.
“Provat kanë treguar se Shtetet e Bashkuara nuk janë të përkushtuara ndaj asnjë premtimi apo marrëveshjeje,” -është shprehur gjenerali Mohammad Jafar Asadi, në deklarata të publikuara nga agjencitë shtetërore iraniane.
Ai shtoi se “janë planifikuar masa befasuese për armikun, përtej imagjinatës së tyre”, duke sinjalizuar një qasje më të ashpër në rast përshkallëzimi.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të vazhdueshme mes dy vendeve, pavarësisht përpjekjeve të fundit për armëpushim. Refuzimi i propozimit nga ana e Trump shihet nga zyrtarët iranianë si dëshmi e mungesës së besueshmërisë në dialogun me Uashingtonin.
Në të njëjtën kohë, mediat zyrtare dhe gjysmë-zyrtare iraniane kanë riafirmuar një qëndrim të palëkundur lidhur me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë.
“Me dominimin dhe kontrollin mbi afro 2,000 kilometra të vijës bregdetare të Iranit në Gjirin Persik dhe në Ngushticën e Hormuzit, marina e Gardës Revolucionare (IRGC) do ta shndërrojë këtë hapësirë ujore në një burim jetese dhe fuqie për popullin iranian, si dhe në një faktor sigurie dhe prosperiteti për rajonin,” raportoi agjencia Tasnim.
Ndërkohë sot janë zbardhur detaje ngas propozimi i fundit i Iranit për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Shtetet e Bashkuara. Sipas agjencisë Reuters, që citon një zyrtar të lartë iranian, plani i Teheranit përfshin pesë elemente kryesore: përfundimin e luftës me garanci që Izraeli dhe SHBA nuk do të sulmojnë më Iranin; rihapjen e Ngushticës së Hormuzit; heqjen e bllokadës amerikane; nisjen e bisedimeve për programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve; si dhe njohjen nga Uashingtoni të të drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit për qëllime paqësore, me kusht që Teherani të pranojë pezullimin e procesit.
“Ideja është që çështja më komplekse, ajo bërthamore, të shtyhet në fazën finale për të krijuar një klimë më të favorshme për marrëveshje”, ka deklaruar zyrtari iranian.
Nga ana tjetër, Donald Trump ka kërkuar në mënyrë të përsëritur rikthimin e plotë të lirisë së lundrimit në këtë ngushticë që nga shpallja e armëpushimit në fillim të muajit të kaluar.
Kjo kërkesë lidhet me rëndësinë strategjike të Hormuzit, përmes të cilit kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimeve globale me naftë.
Megjithatë, autoritetet iraniane kanë bërë të qartë se ngushtica do të mbetet nën mbikëqyrjen e Iranit, duke theksuar sovranitetin e tyre në zonë dhe duke lënë të hapur mundësinë e tensioneve të reja nëse kërkesat ndërkombëtare bien ndesh me interesat e tyre.
