Një vullkan pranë Methanës në Greqi, i konsideruar prej kohësh si i “qetë”, po sfidon mënyrën tradicionale se si shkencëtarët vlerësojnë rrezikun vullkanik.
Një studim i publikuar në Science Advances rindërton 700 mijë vite aktivitet dhe tregon se magma mund të grumbullohet për dhjetëra mijëra vite nën sipërfaqe, pa dhënë shenja shpërthimi.
Vullkani i Methanës, që shtrihet në Gjirin Saronik pranë Athinës, nuk ka shpërthyer që nga viti 250 p.e.s., sipas të dhënave historike të Strabonit. Megjithatë, sipas studiuesve, kjo qetësi nuk do të thotë se sistemi është i fikur.
Ekipi i udhëhequr nga Razvan-Gabriel Popa (ETH Zurich) identifikoi të paktën 31 shpërthime gjatë historisë së tij, si dhe një periudhë rreth 100 mijë vjeçare pa aktivitet në sipërfaqe. Gjatë kësaj kohe, magma vazhdonte të grumbullohej në nëntokë.
Ky zbulim vë në pikëpyetje kriterin e përdorur gjerësisht, sipas të cilit një vullkan konsiderohet i shuar pas 10 mijë vitesh pa aktivitet.
Studiuesit analizuan më shumë se 1.250 kristale zirkoni nga rrjedha të vjetra lave për të rindërtuar historinë e brendshme të vullkanit. Të dhënat treguan se prodhimi i magmës ishte më i lartë pikërisht gjatë periudhës së “qetësisë”.
Sipas studimit, përbërja kimike e magmës dhe pozicioni tektonik i Methanës – mbi një zonë zhytjeje pllakash – bën që magma të ngadalësohet dhe të bllokohet nën tokë, duke u grumbulluar gradualisht.
Kjo krijon një paradoks: sa më e gjatë periudha pa shpërthime, aq më e madhe mund të jetë sasia e magmës e akumuluar, duke rritur potencialin për një shpërthim më të fuqishëm në të ardhmen.
Studiuesit paralajmërojnë se ky fenomen nuk është i izoluar dhe mund të ndodhë edhe në zona të tjera vullkanike në botë, përfshirë rajone të Mesdheut dhe të ashtuquajturin “Unaza e Zjarrit” në Paqësor.
“Qetësia nuk do të thotë domosdoshmërisht siguri”, thekson Popa, duke bërë thirrje për rishikim të metodave të monitorimit dhe vlerësimit të rrezikut vullkanik.
Studimi sugjeron se disa vullkane të konsideruara të shuar mund të kenë ende sisteme aktive magmatike, çka mund të çojë në nënvlerësim të rrezikut, veçanërisht pranë zonave të banuara si Athina.
