Familjarët e 30-vjeçarit Endri Goxhaj, i cili u vra pak ditë më parë në Memaliaj, kanë rrëfyer dhimbjen dhe detaje të reja mbi ngjarjen tragjike që i mori jetën djalit të tyre.
Babai i tij, Astrit Goxhaj, i cili është invalid, në një prononcim për TCH, rrëfen se ka bërë sakrifica të shumta për të rritur të birin, duke punuar në kushte të vështira dhe madje duke mbledhur lule në mal për të siguruar jetesën. Ai shprehet se çdo mundim kishte vetëm një qëllim, t’i siguronte Endrit një të ardhme më të mirë. Por pas vrasjes së tij, ai thotë se gjithçka është shembur.
Mes dhimbjes së thellë, babai kërkon që autorët të vihen përpara drejtësisë, ndërsa thekson se humbja e të birit i ka marrë çdo shpresë për jetën.
Presidenti Begaj vizitë në Boston: vlerëson rolin e diasporës dhe marrëdhëniet historike shqiptaro-amerikane
Edhe nëna e 30-vjeçarit, e tronditur nga ngjarja, apelon për zbardhjen e plotë të krimit. Ajo shprehet se djali i saj ndiqej vazhdimisht dhe, sipas saj, autorët e ruanin përditë për të realizuar vrasjen. Me zë të dridhur, kërkon që përgjegjësit të marrin dënimin e merituar, duke theksuar se drejtësia është e vetmja gjë që mund t’i japë sadopak qetësi shpirtërore.
