Detaje të reja kanë dalë nga atentati i ndodhur këtë të diel në Balldren të Lezhës, ku 39-vjeçari Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, Gentjana Mujeci, mbetën të vrarë me breshëri plumbash.
Mësohet se çifti, i cili po lëvizte në drejtim të Torovicës së Lezhës, në fshatin Balldren, është penguar nga një automjet që u ka prerë rrugën, duke detyruar Kreshnik Mujecin të ndalonte makinën.
Në këtë moment, nga një tjetër automjet, i cili raportohet se ishte pa targa, kanë dalë dy persona të armatosur me kallashnikovë dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të çiftit Mujeci, duke i lënë të vdekur në vend.
Po ashtu, bëhet me dije se policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po punon me pamjet për të krijuar një identikit të autorëve të dyshuar.
Deri më tani raportohet se pista kryesore e policisë është hakmarrja, pasi viktima, Kreshnik Mujeci, është akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e Genc Mhillajt në vitin 2016.
Më herët, për atentatin ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila theksoi se po punohet intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po ashtu, u mësua se çifti Kreshnik dhe Gentjana Mujeci janë prindër të katër fëmijëve të mitur.
