Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban njoftojnë se nga nesër do të reduktojnë me 40% numrin e mjeteve në qarkullim, për shkak të mungesës së masave mbështetëse nga institucionet.
Sipas tyre, nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit dhe nuk ka pasur ndërhyrje për lehtësimin e kostove të sektorit, përfshirë taksat dhe TVSH-në.
Shoqatat theksojnë se kjo është një masë e detyruar për shkak të vështirësive financiare dhe u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim, ndërsa kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet.
Njoftimi:
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban informojnë
qytetarët se, pavarësisht problematikës së ngritur prej javësh dhe takimit të zhvilluar më datë
01.04.2026 me institucionet përgjegjëse, deri në këtë moment nuk është marrë asnjë masë konkrete
mbështetëse për sektorin e transportit publik. Kështu konstatojmë se:
a) Nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, pavarësisht
kërkesës së përsëritur të operatorëve;
b) Nuk ka një vendim zyrtar apo plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare të sektorit;
c) Nuk është dhënë asnjë afat konkret për ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse;
d) Nuk ka nisur asnjë proces për rishikimin e elementeve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt në
kostot operative (akcizë, taksë qarkullimi, TVSH).
Kjo mungesë reagimi dhe veprimi konkret ka përkeqësuar ndjeshëm situatën financiare të operatorëve,
të cilët ndodhen tashmë në kushte tejet të vështira për të përballuar vazhdimin e aktivitetit. Për pasojë,
ju bëjmë me dije se, duke filluar nga nesër do të reduktojmë numrin e mjeteve në qarkullim duke
e ulur me 40% flotën në shërbimin e transportit publik, si një masë e detyruar për përballimin
e kësaj situate emergjente.
U bëjmë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe të parashikojnë kohën e udhëtimit, duke theksuar
se kjo situatë nuk vjen si rezultat i vullnetit të operatorëve, por si pasojë direkte e mungesës së
ndërhyrjes institucionale në kohë.
Shoqatat mbeten të hapura për dialog dhe bashkëpunim, por theksojnë nevojën për ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive.

