Në platformën Polymarket është hapur një treg parashikimi për fatin politik të Edi Ramës, ku përdoruesit vendosin para mbi mundësinë që ai të largohet nga posti i kryeministrit deri në fund të vitit 2026…
Një zhvillim i pazakontë ka tërhequr vëmendjen në platformën ndërkombëtare “Polymarket”. Në faqen e njohur për parashikime me para reale, është hapur një “treg” mbi fatin politik të kryeministrit Edi Rama.
Pyetja që shtrohet është e drejtpërdrejtë: “Edi Rama largohet si kryeministër i Shqipërisë në 2026?”. Sipas të dhënave aktuale, vetëm rreth 19% e pjesëmarrësve në këtë treg besojnë se Rama mund të largohet nga posti deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa shumica parashikojnë që ai do të vijojë në detyrë.
Sipas rregullave të publikuara në platformë, rezultati do të konsiderohet “Po” nëse Edi Rama pushon së qeni kryeministër për çdo periudhë kohe nga momenti i hapjes së tregut deri në fund të vitit 2026. Në të kundërt, nëse ai qëndron në detyrë gjatë gjithë kësaj periudhe, rezultati do të jetë “Jo”.

Një element i rëndësishëm është se edhe një njoftim për dorëheqje apo shkarkim brenda këtij afati do të mjaftonte për ta mbyllur menjëherë tregun me rezultatin “Po”, pavarësisht kur hyn në fuqi vendimi.
Platforma përcakton se rezultati do të bazohet në informacione zyrtare nga vetë Edi Rama apo qeveria shqiptare, por në raste të caktuara mund të merret në konsideratë edhe një konsensus raportimesh të besueshme mediatike.
Ky lloj “basti” nuk është një sondazh tradicional, por shpesh shihet si një tregues i perceptimit dhe pritshmërive të përdoruesve ndërkombëtarë mbi zhvillimet politike.
Hapja e një tregu të tillë për Shqipërinë tregon gjithashtu se zhvillimet politike në vend po ndiqen edhe nga platforma globale, duke e futur debatin vendas në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar.
Si funksionon “Polymarket”
Polymarket është një platformë online e njohur si “prediction market”, ku përdoruesit vendosin para reale për të parashikuar rezultatin e ngjarjeve të ndryshme, nga politika dhe ekonomia, deri te sporti apo zhvillimet globale.
Ndryshe nga bastet tradicionale sportive, Polymarket funksionon mbi parimin e tregut: përdoruesit blejnë ose shesin “aksione” që përfaqësojnë një rezultat të mundshëm, si për shembull “Po” ose “Jo” për një ngjarje të caktuar. Çdo treg në Polymarket ka një pyetje konkrete, si p.sh. nëse një politikan do të qëndrojë në detyrë apo jo brenda një afati të caktuar. Përdoruesit mund të blejnë “Po” ose “Jo”, dhe çmimi i këtyre opsioneve ndryshon në kohë reale, në varësi të kërkesës dhe ofertës.
Për shembull, nëse “Po” tregtohet me 20 cent, kjo interpretohet si një probabilitet prej 20% që ngjarja të ndodhë, sipas perceptimit të tregut. Në fund të afatit të caktuar, tregu “mbyllet” dhe rezultati përcaktohet bazuar në burime zyrtare ose raportime të besueshme. Nëse rezultati përputhet me parashikimin e përdoruesit, çdo “aksion” i blerë shlyhet me vlerën 1 dollar. Në të kundërt, humbet vlerën.
Kjo do të thotë se përdoruesit fitojnë nëse parashikimi i tyre është i saktë dhe humbin nëse rezulton i gabuar. /Pamfleti

